Maqedoni

Nga nesër lirohen mielli, vaji dhe prodhimet tjera bazë ushqimore, TVSH ulet në zero për qind

Të gjitha shitoret që shesin bukë, miell 400, qumështi me yndurë prej 2%, 3.2% dhe 3.5%, sheqer, vaji lulediellit, mish dhe prodhime të mishit, oriz dhe vezë nga nesër do të duhet të heqin TVSH-në nga llogaritë fiskale.

Siç njoftojnë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, kjo do të thotë se të gjitha shitoret që shesin këto prodhime, në llogaritë fiskale te TVSH-ja duhet të vendosin shenjën me shkronjën “G”, me çka lirohen nga tatimi i vlerës së shtuar.

“Obligimi ligjor del nga Ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për vlerë të shtuar me çka zgjerohet lirimi nga TVSH-ja për produktet bazë për ushqim”, thonë nga DAP.

Ata u bëjnë thirrje shitoreve që t’i kenë gati llogaritë fiskale për shkak se vendimi hyn në fuqi më 17 mars dhe do të zgjasë deri më 31 maj.