Maqedoni

Nga 1 marsi ngrin çmimi i bukës në 33 denarë

Qeveria vendosi ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë për sasinë 450 gramë. Kjo masë erdhi pasi furrtarët nuk i ulën çmimet e produktit bazë, bukës megjithëse shfrytëzuan energji elektrike të subvencionuar për 3 muaj dhe përfituan nga marzha 5% e TVSH-së në shitje. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kur u morën masat anti krizë në fillim të dhjetorit, u parapanë për zbutjen e shpenzimeve të qytetarëve dhe jo të rrisin përfitimet e individëve të caktuar nga shitja jo lojale. Ai tha se prodhuesit nuk mund të thirren në import të shtrenjtë të lëndës së parë ngaqë për prodhimet ushqimore shteti ka hequr dorë nga të ardhurat doganore. Por, sërish çmimet mbeten të larta.

“Masat anti-krizë gjatë kohës së krizës globale nuk i morëm që njëra palë të jetë në favor ndaj tjetrës. Masat anti-krizë nuk i morëm që dikush të paguajë, të tjerët të pasurohen. Ato nuk i morëm që të goditen xhepat e qytetarëve dhe të jenë në dëm të tyre, kurse të jenë në benefit të individëve”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se vendimi tjetër u mor për shfuqizimin e subvencionimit të energjisë elektrike për rreth 250 kompanitë private, të cilat përfituan për tre muaj. Ai tha se deri më 1 prill të gjitha këto kompani duhet të kthehen në tregun energjetik dhe të paguajnë çmimin e rregullt. Bekteshi tha se institucionet nuk mund të kërcënohen me mos funksionim të furrave, e as qytetarët nuk mund të kushtëzohen për të blerë bukë më çmim të lartë, kur mielli, gruri, nafta, rryma janë më lirë. Ai tha se paratë publike do t’ia ndalin kompanive private, do t’ia japin kategorive të prekura të qytetarëve.

“Atyre u shkurtohet fitimi shtesë që disa kompani, të jep i sinqertë jo më shumë se 10 kompani në gjithë shtetin, duan ta kenë sipas planeve të tyre në pjesën e dividendëve dhe përqindjes së përfitimit. Sipas të dhënave tona vetëm në Qytetin e Shkupit ka dallim të madh të këtyre dy llojeve të bukës, që përgjithësisht e mbulojnë jo më shumë se katër kompani. Komisioni për mbrojtje të konkurrencës, Inspektorati Shtetëror i Tregut sipas ligjeve për tregti dhe mbrojtje të konsumatorëve ka disa masa”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Një ditë më parë prodhuesit e bukës morën vendim të përbashkët për të ndërprerë prodhimin e të gjitha produkteve të brumit, duke kërcënuar se do t’i lënë qytetarët pa bukë, që në ditën e parë pas shpalljes së vendimit të Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës në Gaztën Zyrtare. Krerët e industrisë së furrtarëve në Odën Ekonomike, thanë se tani ka pasur bukë më të lirë falë subvencioneve të energjisë elektrike, por ngrirja e çmimit do të mbyllë punën e tyre. /Alsat.mk