Nga 1 janari, shtetësia dhe kërkesa për pasaportë dhe letërnjoftim në mënyrë elektronike
Nga 1 janari, certifikata e shtetësisë do të mund të lëshohet në formë elektronike nëpërmjet Portalit Kombëtar për shërbimet elektronike ose nëpërmjet dërgimit të kualifikuar elektronik të regjistruar në një adresë elektronike. Kërkesa për lëshimin e letërnjoftimit dhe pasaportës, qytetarët do të mund të dorëzojnë në mënyrë elektronike.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në profilin e tij në Fejsbuk ka njoftuar se janë miratuar ndryshimet ligjore për dixhitalizimin e plotë të proceseve me qëllim të përmirësimit të përvojës së qytetarëve në nxjerrjen e dokumenteve personale.
“Për të përmirësuar përvojën e qytetarëve në nxjerrjen e dokumenteve personale dhe zbatimin e dixhitalizimit të plotë të proceseve, kjo udhëheqje e MPB-së iu afrua harmonizimit të rregullimit ligjor me legjislacionin evropian, duke propozuar ndryshime ligjore që u miratuan nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në mars të këtij viti, dhe hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2023”, thekson Spasovski.
Paraqitja e kërkesës për lëshimin e letërnjoftimit dhe pasaportës bëhet në përputhje me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Letërnjoftim, Ligjin për Dokumentet e Udhëtimit, Ligjin për Emrat Personal dhe Ligjin për Regjistrimin e Vendbanimit dhe Vendqëndrimit.
“Në procedurat e përcaktuara me ligj, si marrja e dëshmisë së njoftimit në Gazetën Zyrtare për një letërnjoftim të humbur, ajo merret nga Ministria e Punëve të Brendshme sipas detyrës zyrtare përmes Platformës Kombëtare të Ndërveprueshmërisë. MPB mund të japë vendim për heqjen e numrit amë të shtetasit apo të huajit si dokument elektronik”, sqaron Spasovski në statusin e tij në Fejsbuk.
Me qëllim të harmonizimit me dixhitalizimin e proceseve lidhur me procedurat e përcaktuara me ligj, siç thekson Spasovski, janë formuar grupe punuese që punojnë në rishikimin e akteve ligjore dhe nënligjore në kompetencë të MPB-së, përkatësisht Ligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, Ligji për armët, Ligji për veprimtarinë e detektivëve, Ligji për të huajt, Ligji për policinë, Ligji për mbrojtjen ndërkombëtare dhe të përkohshme, Ligji për mbrojtjen nga substancat shpërthyese, Ligji për monitorimin e komunikimeve, Ligji për trafikimin e lëndëve shpërthyese dhe Ligji për sigurinë private.