Nesër Maqedonia fillon negociatat në Bruksel, Alternativa përfaqësohet nga ministri Aliti
Nuk mund të isha më krenar se sot që nisem si përfaqësues i Republikës së Maqedonisë së Veriut për të filluar de facto procesin e negociimit për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Për republikën tonë, integrimi euro-atlantik ka qenë dhe do të mbetet barometri më i vërtetë dhe më i drejtpërdrejtë i shkallës dhe drejtimit të zhvillimit”, deklaroi Aliti para nisjes për Bruksel.
Ai theksoi se sa herë Maqedonia e Veriut ka bërë një hap përpara në euro-integrim, kjo ka qenë në sajë të fuqizimit të demokracisë, lirisë, drejtësisë dhe mirëqenies.
“Edhe sprova e fundit që kaluam, na maturoi dhe na çliroi nga pengesa dhe besime të gabuara rreth vetes dhe të ardhmes që na takon.
Për qytetarët, një Maqedoni e Veriut më europiane do të thotë më shumë Europë në vendin tonë. Më shumë Europë brenda nesh, do të thotë më shumë liri, dinjitet, të drejta dhe përfaqësim inkluziv”, thekson Aliti.
Ai nuk fsheh dot gëzimin që si përfaqësues të qeverisë, “ne ia dolëm të sigurojmë për qytetarët garancinë më të madhe se Maqedonia do të jetë vend i qytetarëve të barabartë dhe dinjitozë”.
“E ardhmja europiane për vendin tonë do të thotë paqe dhe bashkim në shtëpinë tonë të përbashkët.
Kënaqësi që të jem përfaqësues i Alternativës dhe Qeverisë se Maqedonisë së Veriut!
Zoti na ndihmoftë ta bëjmë vendin tonë një atdhe të bollshëm për të gjithë!”, deklaroi ministri për Shoqëri Informatike, Admirim Aliti.