Nënshkruhet Kodi për Zgjedhje Korrekte dhe Demokratike, shtatë subjekte e refuzuan
Partitë janë betuar për fushatë të ndershme për zgjedhjet parlamentare. Me firmosjen e Kodit, siç thotë numri një i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, pjesëmarrësit në zgjedhje premtojnë se do t’i respektojnë parimet e demokracisë.
“Ju merrni përsipër të respektoni normat etike gjatë procesit zgjedhor, se nuk do të përdorni gjuhën e urrejtjes në paraqitjet dhe veprimet tuaja gjatë zgjedhjeve, nuk do të bëni asnjë lloj diskriminimi mbi asnjë bazë”, deklaroi Aleksandar Dashtevski – kryetar i KSHZ-së.
Nënshkrues të Kodit ishin edhe përfaqësues të katër partive dhe koalicioneve më të mëdha parlamentare.
“Në vend që t’i shohim kundërshtarët tanë politikë si armiq, duhet të përballemi me faktet, argumentet dhe premtimet tona programore dhe mbi këtë bazë të tregojmë respektin e duhur ndaj elektoratit”, u shpreh Sanja Llukarevska – LSDM.
“Uroj fushatë zgjedhore paqësore, ditë të qetë zgjedhjesh. Uroj që debati të bazohet në argumente dhe politika, е jo në ‘ad hominem’ dhe sulme personale, të cilat fatkeqësisht po i shohim në periudhën e fundit të fushatës për zgjedhjet presidenciale”, tha Timço Mutsunski – VMRO-DPMNE.
Përfaqësuesit e BDI-së dhe koalicionit “Vlen” nuk dhanë deklarata për media. Ata, sikurse LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, ishin cak i kritikave të kundërshtarëve të tyre që përfaqësojnë parti që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend. Arsyeja ishte financimi i fushatës zgjedhore. Disa nga përfaqësuesit e partive që ishin të pranishëm në këtë ngjarje, si Stevçe Jakimovski nga GROM, përfaqësues i Partisë së Punëtorëve dhe Jorgo Ognenoski nga partia Demokratët nuk e nënshkruan Kodin. Ata janë të pakënaqur që katër koalicionet e mëdha do të ndajnë nëntë milionë euro për reklamim, ndërsa të gjithë të tjerët do të marrin nga tetë mijë euro secili.
E Majta, Maqedonia e Bashkuar, Atdheu Maqedonia dhe Era Maqedonase – Sovranistët e Tretë nuk dërguan asnjë përfaqësues për të nënshkruar Kodin. Sonte në mesnatë nis fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Në zgjedhje do të marrin pjesë gjithsej 17 parti dhe koalicione. Kodin nuk e nënshkruan disa subjekte më të vogla, me arsyetim se janë të diskriminuara materialisht në fushatë.