Maqedoni

Në UT do të themelohet Laboratori për Siguri Kibernetike

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik në RMV do të investojë afër 5.000.000 denarë për themelimin e Laboratorit për Siguri Kibernetike dhe Forenzikë Digjitale në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore në Universitetin e Tetovës.
Ky investim do të realizohet mbi bazën e Marrëveshjes së nënshkruar nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtim Ahmeti dhe drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Prof. Dr. Festim Halili.
Studentët dhe profesorët e këtij fakulteti do të kenë qasje në pajisjet më të fundit për kibernetikë ku do të mund të eksperimentojnë me softuerët për mbrojtjen e të dhënave dhe t’u ndihmojnë qytetarëve për vetëdijesim të mbrojtjes nga sulme të tilla digjitale. Ky laborator do të jetë i hapur për të gjithë hulumtuesit e rinj, që të kryejnë studime dhe hulumtime shkencore në mbrojtjen kibernetike.

Ky projekt do tu mundësojë studiuesve të kësaj fushe t’i avancojnë njohuritë e tyre në teori dhe praktikë. Me ndihmën e këtij laboratori, të rinjtë që do të punësohen në ndonjë kompani, do të mund të parandalojnë keqpërdorimin e resurseve të kompanisë përkatëse, të hetojnë të punësuarit e mëparshëm, vjedhjen e pronës intelektuale, mashtrime, përvetësime, kërcënime, e-posta, mesazhe, biseda, fotografi, dokumente të ndryshme, rikthimin e dokumenteve të humbura etj.
Misioni kryesor është përmirësimi i gjendjes aktuale të sigurisë kompjuterike dhe forenzikës digjitale, përmes kërkimit në laborator dhe mësimdhënies, por edhe ndërgjegjësimit të studiuesve të rinj për sigurinë kibernetike. Synim kryesor do të jenë kryesisht studentët e rinj që kanë mbaruar studimet në fushën e Informatikës ose Shkencave Kompjuterike, apo të paktën kanë një nivel të caktuar njohurish në fushën përkatëse.