Në shtator, ASH-ja vendos për kongresin
Dorëheqja e parevokueshme e kreut të deritanishëm të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela do të vë në lëvizje organet e partisë për zgjedhjen pasardhësit të tij. Nga kjo parti sot shkurt sqaruan se sipas statutit, “Organi më i lartë mes dy Kongreseve është Kuvendi Qendror. Kuvendi do të mblidhet në fillim të muajit shtator për të shpallur Kongresin e jashtëzakonshëm ku do të zgjidhet kryetari i ardhshëm”.
Sipas statutit të Aleancës për Shqiptarët, kandidatët e interesuar për kryetar do të duhet të fillojnë fushatën e tyre së shpejti.
“Kandidatët për kryetar të Partisë e shpallin interesimin e tyre 2 muaj para mbajtjes së Kongresit, prej kur fillon edhe fushata parazgjedhore për kryetar partie”, tha Statuti i Aleancës për Shqiptarët.
Gjatë bërjes publike të dorëheqjes një ditë më parë, Sela nuk përmendi të preferuarin e tij si pasardhës në krye të partisë të cilën e formoi ai.
“Këto janë çështje që do t’i vendosin organet e partisë. Do të ishte jokorrekte nga ana ime që unë të bëj përzgjedhje”, u shpreh Ziadin Sela, kryetar i dorëhequr i Aleancës për Shqiptarët.
Mandati i dytë i Selës në krye të ASH-së filloi pas rizgjedhjes së tij në Kongresin e muajit mars të këtij viti. Ai zgjati vetëm pak muaj kurse Sela dha dorëheqje si përgjegjësi politike për rezultatin e zgjedhjeve për këshilltarë në Komunën e Tetovës. Për këtë rezultat, ai vlerëson se duhet të ketë edhe përgjegjësi të tjera.
“Në qoftë se vlen fjala ime, mbas analizave, ato të cilët janë përgjegjës duhet t’i marrin përgjegjësitë mbi supe dhe në qoftë se duam të kemi një parti politike e cila do të jetë edhe në shërbim të popullit ne nuk guxojmë më të falim fare, nuk guxojmë më të falim sabotime dhe nuk guxojmë të falim jopunën”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i dorëhequr i Aleancës për Shqiptarët.
Statuti aktual i Aleancës për Shqiptarët e kufizon numrin e mandateve të liderit në dy. Me dispozitat aktuale, Sela nuk ka të drejtë të kandidojë për një mandat të tretë në krye të ASH-së. /Alsat.mk