Në Shkup organizohet marsh protestues për Çamërinë
Shqiptarët kudo që janë gjithnjë do t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe do të kërkojnë zgjidhjen e çështjes çame si një çështje gjithëkombëtare. Prandaj ne sot jemi këtu që t’i themi ‘STOP’ diskriminimit racor e fetar që e bën Greqia ndaj Shqiptarëve të Çamërisë. Ky ishte mesazhi që përcollën sot protestuesit në adresë të Ambasadës së Republikës së Greqisë në Shkup. Protestuesit sot marshuan drejt kësaj ambasade, për nder të shqiptarëve çam që u masakruan dhe u përzunë nga trojet e tyre me gjenocidin grek në vitin 1944 nga ushtria greke e drejtuar nga Napoleon Zerva.
‘Çamëria është në zemrat tona’, ‘Çamëria është e jona’, ‘ Çamëria është Shqipëri’,‘Shkupi është Çamëri’, këto ishin disa nga brohoritjet e protestuesve, e cila u zhvillua e qetë dhe pa asnjë incident. Ndërkaq, ata dorëzuan edhe një libër deri tek ambasada greke për çështjen çame në gjuhën angleze.
Protestuesit theksuan se konservimi nga ana e Greqisë, i shtëpive dhe pronave private, në të cilat pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka pasur prapavijë politike të pambështetur në asnjë fakt për akuzën e deklaruar zyrtarisht, se kinse shqiptarët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë, e cila ishte një akuzë që nuk u vërtetua asnjëherë as nga shteti grek e as nga një palë tjetër.
Sumeja Rramani, njëra ndër organizatorët e Marshit
“Jemi sot këtu që t’i kërkojmë Greqisë që shqiptarët nga Çamëria të rikthehen për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve. Më këtë rast i bëjmë thirrje Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian që ta detyrojë Greqinë si anëtare e BE-së, që ta ndalojë diskriminimin etnik dhe fetar ndaj çamëve, të cilëve ua mohon çdo të drejtë njerëzore, madje edhe vizitat si turistë në Greqi. Zgjidhjen e çështjes çame e kërkojmë duke vepruar në frymën e vlerave thelbësore evropiane”
Sipas tyre zgjidhja e çështjes çame në mënyrë paqësore do të ishte nëse shteti grek do ta hiqte Ligjin e luftës me Shqipërinë, që t’ua mundësojë çamëve individualisht ose në grupe të organizuara t’i vizitojnë varret e të parëve dhe shtëpitë e tyre, sepse siç thanë ata pa zgjidhjen e çështjes çame asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve.