Në sheshin Skënderbeu ‘lindi’ “Lidhja Evropiane për Ndryshim
Fronti opozitar shqiptar zyrtarizoi koalicionin me emrin “Lidhja Europiane për Ndryshim. Formalizimi e këtij koalicioni u bë në sheshin “Skënderbeu” në praninë e anëtarëve të tri partive opozitare, Lëvizjes Demokratike, Lëvizjes Besa dhe Alternativës.
Liderët e tri partive thanë se ky bashkim do ta sjell ndryshimin tek shqiptarët. Izet Mexhiti tha se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të shkojnë me lista të përbashkëta për deputet, ndërsa koalicioni do të ketë edhe kandidat shqiptar për president.
“Do të shkojmë me lista të përbashkëta të opozitës shqiptare e cila vazhdon të fuqizohet deri në zgjedhjet parlamentare. Do të kemi edhe kandidat të përbashkët për president shqiptar dhe i mbështetur nga opozita shqiptare dhe shqiptarët”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i bëri thirrje votuesve dhe strukturave të Aleancës për Shqiptarët t’i bashkohen ndryshimit.
“Sa i përket ASH-së duke pasur parasysh qëndrimet e tyre kontradiktore, ne i bëjmë thirrje votuesve dhe anëtarëve të ASH-së të cilët e duan ndryshimin e të mirën e shqiptarëve të vijnë këtej. Lidershipi i tyre janë në anën tjetër dhe pse është ashtu, të tregojnë ata”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se gjatë ndryshimeve kushtetuese, kërkesa e opozitës shqiptare do të jetë kthimi i dinjitetit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
“Është koha e fundit që formulimet fyese kushtetuese për gjuhën shqipe të mbeten e kaluar. Vërtetë është e rëndësishme që të përmbushet detyrimi për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, por po aq e rëndësishme është krenaria e shqiptarëve”, theksoi Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës.
Ditëve në vijim subjektet do të punojnë mbi përpilimin e programit të përbashkët zgjedhor. Mexhiti, Kasami dhe Gashi i ftuan të gjithë subjektet që duan ndryshimin t’i bashkohen rrugëtimit të tyre, ndërsa për partneritet tek blloku maqedonas sipas tyre do të flitet pas zgjedhjeve parlamentare.