Në mënyrë sistematike kundër ekonomisë joformale
Nga: Fatmir Besimi, Ministër i Financave, RMV
Mundësi e shfrytëzuar apo fitim i humbur? Ekonomia joformale është shumë më tepër se kaq. Jo gjithmonë sjell përfitime individuale në favor të interesit publik. Ajo krijon pabarazi në treg dhe cenon parimet e drejtësisë dhe konkurrencës, me ç’rast kemi të bëjmë me korrupsion, shkatërron kredibilitetin e institucioneve shtetërore dhe në këtë mënyrë redukton lojalitetin e qytetarëve ndaj shtetit dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e interesit publik, si dhe ndjenjën e përgjegjësisë personale për t’u ballafaquar me këtë fenomen. Kështu ajo bëhet pjesë e përditshmërisë sonë, respektivisht është problem sistematik për të cilin nuk mund të ketë zgjidhje afatshkurtra dhe të pjesshme, por zgjidhje afatgjata dhe sistematike, zgjidhje konsistente dhe maratonë për formalizimin e ekonomisë joformale. Çdo kompromis me ekonominë joformale do të thotë rritje më e ulët ekonomike dhe më pak shërbime publike, përkatësish cilësi më e ulët e jetesës. Ekonomia joformale nuk mund të zhduket plotësisht, por mund të reduktohet vazhdimisht!
Pak para buxhetit 2024: Si të sigurojmë më shumë të hyra pa tatime të reja?
Ekonomia joformale është një nga pengesat strukturore më të mëdha për konvergjencën e vendeve në zhvillim me ekonomitë e zhvilluara. Kjo vlen edhe për konvergjencën e ekonomisë sonë me Bashkimin Evropian. Vlera e të hyrave tatimore me formalizimin e tërësishëm të sektorit joformal, pa asnjë ndryshim në politikën tatimore është e barabartë me shpenzimet kapitale në buxhetin e këtij viti. Gjegjësisht, edhe pse është e vështirë të vlerësohet, ekonomia joformale është rreth 30% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit tonë. PBB-ja për vitin 2023 vlerësohet në 14.4 miliardë euro, me ç’rast vlera e ekonomisë joformale do të jetë rreth 4.32 miliardë euro. Sipas përllogaritjeve, kjo nënkupton 795 milionë euro mejete shtesë si fluks hyrës në nivel vjetor në bazë të të hyrave tatimore në buxhet. Më konkretisht, këto mjete janë të barabarta me mjetet e nevojshme për autostradën e Korridorit 8 apo Korridorin 10-d, katër qendrat klinike, apo rikonstruimin e të gjitha ndërtesave shkollore në vend. Me këtë vlerë, deficiti buxhetor i parashikuar për vitin 2023 mund të mbulohet plotësisht dhe do të mbesin edhe 100 milionë euro shtesë, që do të thotë se nëse secili paguan pjesën e tyre të drejtë të tatimeve, nuk do të ketë nevojë për huamarrje nga shteti. Duke pasur parasysh këto shifra dhe pak para buxhetit të ri për vitin 2024 është mjaft legjitime çështja lidhur me atë se çfarë po bën Qeveria për ta tejkaluar këtë problem aktual, që është një nga pengesat kryesore për zhvillimin më të shpejtë të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OECD) ka përkufizimin më të gjerë për ekonominë gri, që përfshin të gjitha aktivitetet legale ose ilegale, që nuk evidentohen dhe si rezultat i kësaj, detyrimet nuk paguhen ndaj shtetit. Si përkufizim më i përafërt për ekonominë joformale, në kuadër të studimit të Bankës Botërore, merret prodhimi legal i mallrave dhe shërbimeve, i cili bazohet në parimet e tregut, por që fshihet nga institucionet përkatëse, për shkaqe monetare, rregullatore dhe arsye institucionale. Ekonomia joformale përfshin aktivitete që, nëse regjistrohen, do të kontribuojnë në produktin e brendshëm bruto dhe nuk përfshin aktivitetet ilegale dhe prodhimin në amvisëri (përkufizimi nga Schneider-i, Buehn-i dhe Montenegro-ja). Ekonomia joformale përfshin tregjet e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, që qëllimisht fshihen nga institucionet publike, me qëllim të shmangies së tatimit mbi të ardhurat personale, TVSH-së apo tatimeve të tjera, kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmbushjes së disa standardeve ligjore nga tregu i punës, për shembull paga minimale, numri i orëve të punës, kompensimet e përcaktuara e të tjera, ose mosrespektimit të disa procedurave të përcaktuara administrative siç janë pyetësorët statistikorë dhe llojet e tjera administrative. Me pak fjalë, “gri” është çdo gjë që është lukrative dhe që nuk është e regjistruar në sistem.
Çdo i katërti banor në suaza globale punon në ekonominë joformale
Ekonomia gri është e përhapur kudo dhe sipas të dhënave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), në nivel botëror rreth 2 miliardë njerëz punojnë në ekonominë joformale. Megjithatë, përfaqësimi i sektorit joformal varion nga ekonomia në ekonomi, sipas specifikave dhe karakteristikave të saj, ndërsa në ekonomitë e pazhvilluara dhe ato në zhvillim është më e përfaqësuar në krahasim me ekonomitë e zhvilluara. Ekonomia joformale në vendet shumë të zhvilluara përfshin rreth 19% të PBB-së dhe 16% të punësimit, ndërsa në vendet në zhvillim është pothuajse dy herë më e lartë. Vendet që kanë përqindje të lartë të ekonomisë joformale përballen me ulje të të hyrave tatimore si pasojë e erozionit të bazës tatimore. Nga ana tjetër, subjektet që janë pjesë e sektorit formal kanë barrë më të madhe tatimore, që në esencë është edhe një arsye tjetër për t’u motivuar për të vepruar në sektorin joformal. Një studim i kryer në vitin 2018, duke marrë parasysh serinë e të dhënave për 158 vende në botë, tregon se vendet me nivelin më të ulët të ekonomisë joformale janë Zvicra me 7.2% dhe Austria me 8.9% të PBB-së, ndërsa me nivelin më të lartë është Zimbabve me 60.6% dhe Bolivia me 62.3% të PBB-së. Në punimin shkencor të Enste-s (2018) “Ekonomia gri në vendet industriale”, ku analizohen të dhënat mbi ekonominë joformale në vendet industriale bazuar në të dhënat makroekonomike për periudhën 2003-2018, theksohet se ekonomitë joformale janë shumë më të vogla në vendet e zhvilluara ekonomikisht të OECD-së, se sa në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, respektivisht dy herë më të ulëta.
Situata makroekonomike në vend, tranzicioni, barra tatimore, rregullimi, niveli i korrupsionit, besimi tek qeveria, morali tatimor, administrata janë disa faktorë kyç që ndikojnë në ekzistencën e ekonomisë joformale në vend. Shtetet me shkallë të lartë të ekonomisë joformale kanë nivel më të ulët të produktivitetit të punës, si dhe akumulim të ngadalësuar të kapitalit fizik dhe njerëzor, qasje të kufizuar në burimet financiare, si dhe kapacitet modest fiskal të buxhetit të shtetit. Gjithashtu, disa hulumtime empirike tregojnë se ekonomia joformale lidhet drejtpërdrejt me pabarazinë në të ardhura dhe me varfërinë. Kompanitë që funksionojnë në ekonominë joformale kanë akumulim të dobët të kapitalit, nivel të ulët të investimit në teknologji të re dhe moderne dhe rritje të kufizuar të këtij niveli, për shkak të frikës dhe nevojës për të mos u vënë re nga shërbimet tatimore.
Një e treta e ekonomisë së Ballkanit është gri
Kur bëhet fjalë për rajonin, respektivisht për vendet e Gadishullit Ballkanik, vlerësimet e bazuara në një numër të madh studimesh dhe analizash të kryera tregojnë se niveli i ekonomisë joformale është mesatarisht rreth 30%. Sipas studimit më të njohur në këtë fushë nga Schneider-i, Buehn-i dhe Montenegro-ja (2010), në periudhën ndërmjet viteve 1999 dhe 2007, ekonomia gri në rajon ishte ulur dukshëm, por ende mbetet e lartë (Shqipëria 32.9%, Bullgaria 32.7%, Greqia 26.5%, Bosnja dhe Hercegovina 32.8%, Kroacia 30.4%, Maqedonia 34.9%, Rumania 30.2%, Sllovenia 24.7%, Turqia 29.1%).
Duhet theksuar se me kalimin e viteve rezultatet variojnë, si dhe në varësi të vetë analizave dhe metodologjive të shfrytëzuara (qasja e direkte përmes anketave të subjekteve ekonomike ose qasja indirekte përmes metodave alternative përmes të dhënave të konsumit të energjisë elektrike, metodës së shkaqeve dhe treguesve të shumtë, analizës së kërkesës në valutë etj.), por në parim vlerësimi është se ekonomia gri në këto vende përfshin rreth një të tretën e prodhimit të output-it të tyre.
Sektori joformal në Republikën e Maqedonisë së Veriut
Sipas përllogaritjeve të fundit institucionale të Ministrisë së Ekonomisë, ekonomia joformale në vend ishte rreth 30% e PBB-së në fillim të dekadës së kaluar. Një pjesë e studimeve empirike tregojnë se shkalla e ekonomisë joformale në Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudha të caktuara kohore në të kaluarën ka arritur nga 40% në 50% të BPV-së. Sipas analizës së kryer nga FMN-ja, ekonomia joformale në Maqedoninë e Veriut vlerësohet rreth 37.6% në vitin 2016. Studimi më i fundit për ekonominë joformale në vend është kryer nga Banka Botërore, e cila në vitin 2018 vlerësoi se ekonomia gri arriti në 33.4%. Një pjesë e hulumtimeve empirike të kryera nga komuniteti akademik tregojnë se ekonomia joformale në vend në periudhën 2019 – 2021 varion nga 21% në 28.9% të PBB-së. Rezultatet variojnë mjaftueshëm sipas metodës së vlerësimit, por në parim, ekonomia gri është shumë e vështirë për t’u vlerësuar. Rezultatet e hulumtimit cilësor “Perceptimi dhe qëndrimet e qytetarëve për ekonominë gri”, të realizuar nga UNDP-ja në vitin 2022, me anë të ekzemplarit reprezentativ, tregojnë se perceptimi i qytetarëve është se ekonomia joformale varion nga 20% deri në 40% të PBB-së.
Kur flasim për punësimin joformal, si një nga segmentet kryesore të ekonomisë joformale, përllogaritjet e Ministrisë së Financave bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se në vitin 2022 rreth 84 mijë vende pune ishin pjesë e ekonomisë joformale, që paraqet rënie të dukshme, krahasuar me vitin 2017 (134.285 punëtorë), megjithatë është ende në nivel të lartë. Të dhënat tregojnë se punësimi joformal përfshin rreth 14% të punësimit të përgjithshëm formal në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022. Duke filluar nga viti 2018, vërehet rënie e pjesëmarrjes së punësimit joformal dhe formal. Kur shqyrtohen statistikat demografike, dy të tretat e veprimtarive joformale kryhen nga burrat, ndërsa një e treta nga gratë, punësimi më i lartë joformal është tek punëtorët e moshës 35 deri në 44 vjeç, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve të punësuar në mënyrë joformale janë gjithashtu të moshës 45 deri në 54 vjeç. Numri më i madh i të punësuarve në mënyrë joformale janë në sektorin e bujqësisë, me pothuajse gjysmën e vendeve të punës në mënyrë joformale, si dhe në sektorin e ndërtimit.
Ekzistojnë përvoja dhe shembuj të ndryshëm se si vendet përballen me ekonominë gri apo se si i qasen formalizimit të ekonomisë joformale. Ashtu siç shkrova në një nga kolumnat e mia të publikuara në muajin gusht të vitit 2022, që lufta kundër ekonomisë gri të jetë e suksesshme, me rëndësi është të vendoset sistem, me ç’rast në kët drejtim vlen maksima ekonomike:
“Nuk ia vlen të jesh pjesë e ekonomisë gri”
Sipas logjikës ekonomike, nëse duam ta reduktojmë ekonominë joformale, duhet ta bëjmë atë ekonomikisht “joatraktive”. Resprektivisht, ekonomia joformale duhet bërë jofitimprurëse me qëllim të uljes së interesit për të qëndruar në atë zone. Thënë në terma ekonomike dhe profesionale, duhet të rritet kostoja oportune e ekonomisë joformale, gjegjësisht të rritet përfitimi i humbur, benefitet që do të kenë nëse përfshihen në sektorin formal. Kjo mundësohet duke vepruar nga njëra anë përmes rritjes së kostove të sektorit joformal ose riskut të veprimit në sektorin joformal dhe nga ana tjetër përmes rritjes së benefiteve në sektorin formal. Domethënë, pasojat për ata që janë pjesë e ekonomisë joformale janë më të mëdha se përfitimet.
Problemi sistematik kërkon zgjidhje sistematike
Ekonomia joformale ka ndikim negativ si në nivelin makroekonomik ashtu edhe në atë mikroekonomik. Në aspektin makroekonomik, sektori joformal shkakton erozion mbi bazën tatimore dhe në këtë mënyrë ndikon në qëndrueshmërinë fiskale dhe aktivitetin e investimeve, si dhe politikat e tjera makrofiskale. Nga ana tjetër, në nivel mikro, krijon pabarazi në treg, ndikon në kapacitetet zhvillimore të kompanive, goditjet e jashtme ndaj tyre në situata të caktuara (siç ishte rasti me pandeminë kur një numër i caktuar subjektesh nuk mund ta shfrytëzonin përkrahjen shtetërore dhe stimujt përkatës, për shkak të joformalitetit), si dhe sipërmarrësinë.
Ekonomia gri është problem sistematik që duhet zgjidhur sistematikisht. Për zgjidhjen e këtij problemi, fillimisht duhet të përcaktohen në mënyrë të duhur dhe të lokalizohen burimet, të përcaktohen qëllimet e përgjithshme dhe ato të caktuara që duhet të arrihen, të krijohet kornizë për monitorimin e arritjes së qëllimeve dhe në fund të përcaktohet plani specifik aksional. Kjo është qasja e zbatuar nga Qeveria jonë gjatë hartimit të strategjisë dhe planit aksional për luftimin e ekonomisë gri.
Me përkrahjen e UNDP-së është kryer analizë në të cilën janë identifikuar arsyet e mundshme për ekzistimin e ekonomisë joformale në Republikën e Maqedonisë së Veriut, siç janë karakteristikat dhe nevojat e tregut të punës, shfrytëzimi i parave të gatshme në transaksionet afariste, niveli i ulët i moralit tatimor dhe disiplinës tatimore, niveli i lartë i tolerancës ndaj joformalitetit, rritja e konkurrencës dhe globalizimit, perceptimi i lartë i korrupsionit që ekziston në Ballkanin Perëndimor, barra e mundshme administrative e formalizimit, standardi më i ulët i jetesës dhe niveli të varfërisë. Në pjesën më të madhe të aktiviteteve, moslëshimi i llogarisë fiskale nuk konsiderohet si diçka jo e duhur dhe e papranueshme. Në mesin e ofruesve të shërbimeve, një numër i madh klientësh nuk kërkojnë lëshimin e faturave fiskale, gjë që ata mendojnë se ky aspect e favorizon biznesin, andaj në këmbim presin të marrin produkt/shërbim me çmim më të ulët, për sa i përket pagës, ku për disa biznese vërehet praktikë e pagesës së një pjese të pagës në zarf, zakonisht për shpërblim ose kompensim për punë shtesë.
Prandaj, u hartua strategjia e parë, së bashku me planin aksional në koordinim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për periudhën 2018-2022, e cila dha rezultatet e duhura në drejtim të detektimit të ekonomisë joformale, përforcimit të kapaciteteve të DHP-së përmes bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare dhe tuiningjet, raportimit të parregullsive, optimizimit të detyrimeve parafiskale, dixhitalizimit të aktiviteteve, stimulimit të formalizimit të aktiviteteve joformale (si regjistrimi elektronik i punëtorëve sezonalë në bujqësi), fushatave dhe ngjarjeve për promovimin e aktiviteteve për t’u ballafaquar me ekonominë joformale, kthimit të TVSH-së për personat fizikë, rritjes së moralit tatimor dhe uljes së tolerancës ndaj joformalitetit, broshurave – manualeve për sipërmarrësit mbi krijimin e biznesit në mënyrë të pavarur, regjistrimit elektronik të personi të ri juridik, etj.
Krahas strategjisë së Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në vitin 2021 Ministria e Financave, bazuar në strategjinë në fjalë hartoi planin aksional trevjeçar për eleminimin e ekonomisë gri, duke përfshirë vitin 2022, i cili përbëhej nga gjashtë prioritete me masa dhe aktivitete specifike: përmirësimi i procesit të vlerësimit, monitorimit dhe zbulimit të ekonomisë gri; ofrimi i aktiviteteve stimuluese për formalizimin e ekonomisë gri; ndërgjegjësimi lidhur me ekonominë gri dhe përforcimi i moralit tatimor; përmirësimi i shërbimeve të inspektimit dhe sistemit të ndëshkimit; avancimi i legjislacionit dhe zbatimi i masave të Drejtorisë Doganore në luftën kundër ekonomisë gri. Ministria e Financave në bashkëpunim me UNDP-në dhe GIZ-in realizoi me sukses një pjesë të aktiviteteve të planit aksional, ndërsa aktivitetet dhe masat e tjera janë planifikuar në kuadër të Strategjisë së re për formalizimin e ekonomisë joformale 2023-2027, e cila u hartua nga Ministria e Financave, si dhe planit aksional përkatës.
Strategjia 2023-2027: Reduktimi i ekonomisë gri për 4.4 p.p.
Procesi i hartimit të Strategjisë së re për formalizimin e ekonomisë joformale 2023-2027, si dhe Planit aksional ishte inkluziv, me një numër të madh diskutimesh me palët kryesore të tanguara, si përfaqësues nga sektori i biznesit, shoqatat e kontabilitetit dhe byrotë, revizioni, shtëpitë, sektori joqeveritar dhe palët e tjera relevante.
Siç e theksova më lart, përqindja e ekonomisë joformale, sipas përllogaritjeve më të fundit nga modelet e sofistikuara të Bankës Botërore, rezulton në 33.4% të PBB-së në vitin 2018 (sipas metodës MIMIC, respektivisht metodës së treguesve të shumtë dhe të shkaqeve të shumta). Nëpërmjet zbatimit efektiv të masave dhe aktiviteteve me Strategjinë e formalizimit të ekonomisë joformale 2023-2027 dhe Planin aksional, pritet që ekonomia joformale të reduktohet në 26% të PBB-së deri në fund të vitit 2027.
Strategjia bazohet në dy fusha kryesore – e para është sistemi dhe e dyta janë qytetarët. Qëllimi është krijimi i sistemit të fuqishëm që do të luftojë kundër ekonomisë gri, gjithashtu përforcimi i moralit tatimor te qytetarët dhe ndërgjegjësimi se me luftimin e ekonomisë gri, ata investojnë në të ardhmen e tyre dhe në një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.
Në kuadër të fushës së parë, qëllimi i parë është rritja e efikasitetit të institucioneve publike dhe përmirësimi i mjedisit afarist për reduktimin e ekonomisë joformale dhe përshpejtimin e procesit të formalizimit. Në kuadër të këtij qëllimi parashihen masa për krijimin e infrastrukturës institucionale për detektimin, monitorimin dhe dhënien e udhëzimeve për adresimin e aktiviteteve joformale, bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurimin e të dhënave statistikore dhe treguesve për ekonominë joformale që do të shfrytëzohen rregullisht për monitorimin e ekonomisë gri, si dhe dixhitalizimin e proceseve. Gjithashtu, punohet intensivisht për përmirësimin e kornizës rregullative, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve të punës (u miratua Ligji i Marrëdhënieve të Punës si dhe aktet nënligjore, ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Ndalimit dhe Parandalimit të Veprimtarisë së Paregjistruar, u miratua Ligji i Shërbimeve Postare, Ligji i Tregtisë Elektronike, u krye analiza për licencimin e aktiviteteve të caktuara, aktet nënligjore për angazhimin e thjeshtuar të punëtorëve sezonalë, të rastit dhe atyre të përkohshëm në bujqësi, turizëm, hoteleri dhe aktivitete të shërbimit, vendosja e kartelave të ID-së në ndërtim, implementimi i projektit “e-faturë”). Një nga masat e parapara për forcimin e kapaciteteve të institucioneve është edhe përfshirja e vetëqeverisjes lokale në formalizimin e ekonomisë joformale.
Gjithashtu u krijua Këshilli nacional për koordinimin e aktiviteteve dhe monitorimin e zbatimit të Planit aksional ndaj Strategjisë së formalizimit të ekonomisë joformale. Ky organ ndërresorial, ndërinstitucional përbëhet nga 20 anëtarë, përfaqësues të nivelit më të lartë nga institucionet në kompetencë të të cilave janë aktivitetet për reduktimin e ekonomisë joformale, respektivisht zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin me resorët ekonomikë dhe investimet, zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, ministri i Ekonomisë, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ministr i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, përfaqësuesit kryesorë nga Drejtoria e të Hyrave Publike, Drejtoria Doganore, Byroja e Prokurimeve Publike, Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtoria e Zbulimit Financiar, Inspektorati Shtetëror i Tregut, Inspektorati Shtetëror i Punës, Regjistri Qendror i RMV-së, Këshilli i Inspektimit dhe Enti Shtetëror i Statistikave, si dhe guvernatorja e Bankës Popullore, ndërsa organi kryesohet dhe koordinohet nga ministri i Financave.
Për lehtësimin e procedurave administrative për funksionimin në sektorin formal, si dhe për uljen e kostove për krijimin e kompanive mikro dhe të vogla, një nga masat është përcatimi i zyrave/qendrave për këshillime juridike dhe ekonomike për regjistrimin e kompanive mikro dhe të vogla dhe fillimin e aktiviteteve të biznesit në sektorin formal. U hartua edhe propozimi për masën stimuluese për shfrytëzimin e subjekteve ekonomike të regjistruara dhe punëtorëve që ofrojnë shërbime për amvisëritë (shërbime personale dhe shërbime për amvisëritë) dhe për subjektet e tjera ekonomike.
Edhe më tej do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e efektivitetit dhe efikasitetit të shërbimeve të inspektimit në detektimin dhe parandalimin e aktiviteteve afariste në sektorin joformal, përmes platformës funksionale për regjistrimin e inspektimeve, e-inspektorit, me përfshirjen e të gjitha shërbimeve të inspektimit, si dhe vazhdimin e forcimin e kapaciteteve përmes trajnimeve dhe kontrolleve të rregullta.
Fusha e dytë në të cilën do të punohet intensivisht është “Forcimi i ndërgjegjësimit për ekonominë gri, morali tatimor dhe besimi tek institucionet”. Një pjesë e këtyre aktiviteteve do të zhvillohen përmes platformës tashmë ekzistuese vnesiboja.mk. Gjithashtu po punohet për edukimin e publikut të gjerë përmes mjeteve të ndryshme për efektin shkatërrues të ekonomisë gri. Me qëllim të forcimit të besimit të qytetarëve dhe kompanive te institucionet, do të vazhdojë të forcohet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve, si dhe parashikueshmëria në hartimin e zgjidhjeve ligjore, që ka rëndësi të veçantë për komunitetin e biznesit.
Le t’i “vendosim ngjyrë” të ardhmes së vendit tonë
Kjo është axhendë me të vërtet ambicioze, por me ndërgjegjësim dhe përpjekje të përbashkëta, ku së bashku, ne dhe qytetarët mund ta realizojmë atë, përkatësisht t’i “vendosim ngjyrë” ekonomisë gri, por edhe të ardhmes dhe prosperitetit të shtetit. Duke folur shpesh për ekonominë gri, kam përmendur thënien e famshme të presidentit amerikan Kennedy – “mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”. Në luftën kundër ekonomisë gri, duke bërë më mirë për të gjithë, bëjmë më mire edhe për veten, fëmijët dhe nipërit tanë, të cilët do të kenë kushte më të mira jetese, falë veprimeve tona sot. Të krijosh sistem funksional është si të ndërtosh shtëpi, nëse shtyllat janë të fuqishme, muret nuk kanë vrima dhe çatia nuk pikon dhe si rezultat i kësaj nuk do të kemi probleme as në verë e as në dimër. Tani e përfundojmë shtëpinë në të cilën do të jetojnë brezat e ardhshëm. Le ta përforcojmë atë së bashku!