Në MASH, asnjë projekt për shkollën në Idrizovë
Ish kreu i komunës Gazi Babë, Boris Georgievski nuk ka nisur asnjë procedurë për ndërtimin e shkollës fillore në Idrizovë. Deklaratat e tij se nxënësit e Idrizovës shumë shpejt do të bëhen me shkollë fillore mbetën vetëm premtime boshe. Këtë e konfirmoi kreu i ri i kësaj komune, Boban Stefkovski. Ai tha për Alsat së udhëheqja e kaluar nuk kishte përgatitur projekt për këtë objekt shkollor e as që kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në Ministrinë e Arsimit.
“Komuna nuk ka përgatitur projekt për ndërtimin e shkollës fillore. E vetmja gjë që jam informuar nga shërbimet profesionale është se ka pasur vendim në Qeveri me të cilin është planifikuar ndërtimi i shkollës fillore në Idrizovë, është nisur procedurë e caktuar për të përcaktuar lokacionin, megjithatë kjo procedurë nuk ka përfunduar, nuk e di për çfarë arsye. Nga ajo që më kanë njoftuar shërbimet, asgjë nuk është dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe nuk është përgatitur projekt”, tha Boban Stefkovski, kryetar i Komunës Gazi Babë
Stefkovski paralajmëroi se do të kërkojë mbështetje nga Ministria e Arsimit ndërsa do të realizojë edhe takim me këshillin e prindërve. Banorët e Idrizovës vlerësojnë se ndërtimi i shkollës është mëse i nevojshëm për nxënësit e kësaj pjese.
“Është shumë e rëndësishme për fëmijët sepse të gjithë mësojnë në Koloni, shkojnë në këmbë. Për shkak të gjendjes duhet të angazhohet ose prindi ose gjyshja. Gjithçka premtojnë dhe në fund asgjë nuk bëjnë. Këtu jemi të lënë pas dore”, thotë një banore
“Patjetër duhet të bëhet shkolla në fshatin Idrizovë. Me I dërgu në Koloni shumë larg është. Kur jam nuk mundem me I dërgu, shkojnë vet, dimrit shumë ftoft, si me I dërgu. Vetëm po na thonë se do të bëhet edhe kërkun hiç, po gënjejnë”, tha një banor
Prindërit dhe nxënësit e fshatit Idrizovë më shumë se një dekadë kërkojnë mësim në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë, në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri. Në vitin 2019, Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit.