Në Gostivar situatë kritike, bëhen përpjekje në spital të vendosen të infektuarit e rinj
Numri i të infektuarve me koronavirus në rajonin e Gostivarit edhe më tej rritet. Presioni më shumë ndjehet në institucionin më të madh shëndetësor, spitalin e përgjithshëm “Ferid Murad”. Atje zhvillohet riorganizim i sektorit dhe bëhen përpjekje shtesë të furnizimit me oksigjen i domosdoshëm për mjekimin e pacientëve.
Për momentin në spitalin e Gostivarit mjekohen mbi njëqind pacientë të cilët më shumë janë në mbështetje të oksigjenit.
“Situata është kritike. Por pas konsultimeve të sotme që kemi pasur me personelin të angazhuar për mjekim të pacientëve me Kovid-19, mbrëmë janë pranuar më pak për dallim nga ditët tjera. Për momentin në spitalin e Gostivarit mjekohen 108 persona. Dje në repartin infektiv ka pasur 42 kontrolle ku disa pacientë janë dërguar në ‘repartin e kovidit’ dhe spitalin modular. Nga 108 pacientë, 68 prej tyre u jepet terapi me oksigjen. Për fat të keq kemi edhe dy viktima”, ka thënë drejtori i Spitalit të përgjithshëm, Jakup Jakupi.
Ai ka thënë se punojnë në sigurimin e vendeve të lira shtesë për pranimin e pacientëve të cilët kanë më së shumti nevojë.
“Kemi vendosur kontakte të drejtpërdrejta me drejtorët e spitaleve në Strugë, Ohër, Prilep dhe Manastir dhe nëse nevojitet pacientët tanë do t’i transferojmë atje. Shpresoj se ajo nuk do të ndodhë, por situata është e paparashikueshme”, ka thënë Jakupi.