Maqedoni

Në Gjermani u konfiskuan 2100 orë false të destinuara për Maqedoninë e Veriut

Më shumë se 2.100 orë luksoze të falsifikuara në një dërgesë tranzit për në Maqedoninë e Veriut janë konfiskuar të enjten në aeroportin e Frankfurtit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Pas konfiskimit, u ngritën dyshime për vërtetësinë e sendeve të tilla të vlefshme që mbërritën me dërgesë nga Hong Kongu.

Dymbëdhjetë pako ishin rrugës për në Maqedoninë e Veriut dhe u transportuan përmes aeroportit në Gjermani.

“Po të ishin origjinale, orët do të kushtonin rreth 176 milionë euro, sipas njoftimit të shërbimit doganor, shkruan Dojçe vele.

Doganierët i gjetën orët në muajin tetor, por cilësia e orëve të falsifikuara ishte aq e lartë, saqë shërbimi doganor kërkoi mendimin nga 11 prodhues të orëve luksoze.

“Shpesh orët e rreme nuk mund të njihen në shikim të parë dhe njëmbëdhjetë prodhues origjinalë kanë konfirmuar dyshimin se ato janë false, deklaroi Kristi Shtras, zëdhënëse e doganave në Aeroportin e Frankfurtit.

Ajo shtoi se orët false tashmë janë shkatërruar.

Vitin e kaluar, departamenti kryesor i doganave në Frankfurt nisi procedurat për rreth 8,958 sekuestrime kufitare.

Doganierët sekuestruan orë, ilaçe, telefona, pajisje elektronike, veshje, këpucë, si dhe produkte të kujdesit personal dhe lodra për fëmijë.