BallinaMaqedoni

Në Bullgari u formua qeveri politike pas një kohe më të gjatë, si komentohet në Shkup?

Qeveria në Shkup e sheh me rezerva formimin e qeverisë në Bullgari, në kontesktin e zhbllokimit të rrugës evropiane të vendit. Nga ekzekutivi thonë se janë të kujdesshëm por të hapur për dialog.

“Si Qeveri dërgojmë urime për zgjedhjen e qeverisë në Bullgarinë fqinje, por duke pasur parasysh përvojën, jemi të rezervuar, të kujdesshëm por edhe të hapur për dialog mbi baza parimore të cilat do të garantojnë mbrojtje të identitetit dhe linjave të kuqe.” – Qeveria.

Duke pasur parasysh përvojën, jemi të rezervuar, të kujdesshëm por edhe të hapur për dialog.
Kjo është përgjigja e tyre në pyetjen e Alsat se si e sheh qeveria formimin e qeverisë në Sofje, a do të vendosë dhe kur do të vendosë kontaktet e para për një dialog të mundshëm.

Parlamenti bullgar ka zgjedhur Rosen Zheljazkov për kryeministër të Republikës së Bullgarisë, pas tetë ciklesh zgjedhore në një afat prej katër vitesh, brenda të cilës periudhë nuk ka pasur qeveri stabile. Siç raportojnë mediat bullgare, 125 deputetë kanë votuar “pro”, 114 “kundër”, dhe nuk ka pasur asnjë abstenim. Zheljazkov mori mbështetje nga deputetët e GERB-SDS, Ka një popull të tillë, BSP-E majta e bashkuar dhe DPS-Dogan. Kundër votuan partitë e tjera. Zheljazhkov është avokat, ish-ministër i Transportit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve në qeverinë e tretë të Bojko Borisov. Zheljazkov pas marrjes së detyrës ka folur për prioritetet e mandatit të tij.

“Historia e zgjedhjeve të zgjatura që nuk mund të rezultojnë me pushtet, një herë e përgjithmonë në një mandat qeverisjeje, do të marrë fund. Detyrat e para lidhen me vendosjen e besimit në administratën shtetërore dhe nxitjen e nevojshme për të mundësuar motivimin e tyre. Nuk ka kohë për të humbur, 100 ditët e tolerancës kanë ikur. Detyra jonë është të shfrytëzojmë makinerinë shtetërore me një sinkronizim të mirë për të përmbushur prioritetet dhe synimet politike të përcaktuara në marrëveshje: Financa të qëndrueshme, një plan për balancimin e tyre dhe zbatimin e politikave të pritshme sociale”, deklaroi Rosen Zheljazkov, kryeministër i Bullgarisë .

Opozita në Sofje është e shqetësuar për pozitën e qeverisë së re në raport më Maqedoninë dhe këtë e shprehën edhe në foltoren e Kuvendit.

“Do të mbledhim forcat që përfundimisht t’u themi në Maqedoni se nuk mundët të lejohet shërbimet serbe ta drejtojnë Maqedoninë në një fushatë të tillë antibullgare. Kur do ta bëni atë? Momenti është tani,” tha Conço Ganev, “Prerodba”.

Zheljazkov kur kërkoi besimin e deputetëve, shkurt kishte deklaruar se do të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve ezistuese.

“Veprime aktive për zgjerimin e hapësirës evropiane me Ballkanin Perëndimor, duke respektuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese ndërmjet palëve të interesuara dhe në përputhje me interesin kombëtar të Bullgarisë,” deklaroi Rosen Zheljazkov, kryeministër i Bullgarisë.

Veprime aktive duke respektuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese dhe në përputhje me interesin kombëtar të Bullgarisë.
Pushteti në Shkup vazhdimisht kishte deklaruar se pret formimin e një qeverie politike në Sofje me shpresën se do të hapet një derë dialogu mes palëve për një marrëveshje të mundshme rreth zhbllokimit të rrugës evropiane të vendit. Qeveritë e kaluara teknike por edhe presidenti Rumen Radev kishin deklaruar në vazhdimësi se nuk ka më nevojë për negociata mes Shkupit e Sofjes. Sipas tyre, negociatat duhet të zhvillohen me Brukselin dhe se Shkupi duhet të përmbushë kushtet nga korniza negociuese, gjegjësisht zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. /alsat.mk