Ndryshimet Kushtetuese, Kovaçevski: Akuzat e Mickoskit janë nebulozë dhe mashtrim i publikut
Nebuloza dhe mashtrime të publikut – kjo është përgjigjja e kryeministrit Dimitar Kovaçevski ndaj akuzave të opozitës se grupi punues për ndryshimet kushtetuese po përgatitet të ridefinojë shtetin dhe të krijojë një shtet binacional. Kryeministri thotë se opozita edhe më parë ka mbjellë frikë në tema të tilla si kantonizimi, pranimi i emigrantëve dhe më shumë.
“Ata thanë se me votimin e propozimit francez do të ishim bullgarizuar dhe asimiluar dhe se do ta kishim humbur gjuhën maqedonase. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur dhe në serinë e gënjeshtrave kjo tani është e fundit”, deklaroi Dimitar Kovaçevski. Kryeministër.
Kovaçevski shtoi se detyrë e domosdoshme dhe kryesore e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese është hartimi i amendamenteve lidhur me hyrjen e bullgarëve në Preambulë.
“Grupi i punës për përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese, i mandatuar nga qeveria, ka detyrimin të përgatisë ndryshimet kushtetuese në përputhje me kuadrin negociues. Qeveria do të jetë parashtruesi dhe ata janë për ndryshimin e Preambulës dhe inkorporimin e popujve tjerë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Me një deklaratë të tillë të kryeministrit për detyrën kryesore të grupit punues, është gjithnjë e më e qartë se çështja e zëvendësimit të termit “20%” me “gjuhën shqipe” nuk do të jetë në tryezë, dhe më herët kryetarja e grupit, Margarita Caca Nikolovska, tha se ata nuk kanë mandat për të shqyrtuar tema të tjera.
Partitë e koalicionit qeverisës, LSDM dhe BDI kanë theksuar deri tani se fokusi duhet të jetë vetëm në përfshirjen e bullgarëve, ndërsa kryetari i Aleancës së Shqiptarëve, Arben Taravari, tha më parë se ai do të mbrojë ndryshimin e termit “20%”. Pak ditë më parë, përfaqësuesit e të ashtuquajturit “grup zjarri” të BDI-së paraqitën një nismë në Ministrinë e Drejtësisë për formulimin e gjuhës shqipe në Kushtetutë. Sipas tyre, duhet shfrytëzuar mundësia dhe momenti politik, sepse Kushtetuta nuk hapet çdo ditë. Nga BESA theksuan disa herë se ekziston mundësia që ata të mos mbështesin ndryshimet po qe se nuk zëvendësohet termi “20%”, dhe përfaqësuesit e Alternativës kishin një qëndrim të ngjashëm. Nga ana tjetër, në intervistën e tij të fundit në Alsat, sipas zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi tha se nuk do të ketë asnjë deputet shqiptar që nuk do të mbështeste ndryshimet kushtetuese. /Alsat.mk