BallinaMaqedoni

Ndryshimet e motit, të sëmurët kronikë ndjejnë pasojat

Luhatjet e temperaturave ditëve të fundit kanë ndikuar dukshëm në shëndetin e qytetarëve, e sidomos të atyre me sëmundje kronike, por jo vetëm. Nga kjo periudhë kohore ankohen si të rinjtë, po ashtu edhe të moshuarit. Sinoptikanët thonë se edhe ditëve në vazhdim na pret mot i ndryshueshëm me ulje të temperaturave nga 5 deri në 7 gradë celsius.

Ndryshimet e motit ditëve të fundit dhe luhatja e temperaturave, ka ndikuar dukshëm në shëndetin e qytetarëve. 170 thirrje vetëm në këtë fundjavë ka pasur në Ndihmën e Shpejtë. Ata thonë se presin që ditëve në vijim numri i thirrjeve në 194 të rritet edhe më shumë. Kjo periudhë e paqëndrueshme e motit nuk ka qenë e ndjeshme vetëm për pacientët me sëmundje kronike, por vështirësi kanë hasur edhe të rinjtë dhe të moshuarit e tjerë.

“Tanimë kemi rritje të temperaturave, këto ditë moti ka qenë i ndryshueshëm, gjë që ka ndikuar edhe në uljen e tensionit tek popullsia. Vështirësi haset sidomos tek pacientët me sëmundje kronike, tek ata që kanë probleme me mushkëritë. Kemi të reshura shiu, d.m.th. mot të lagësht i cili ndikon shumë, sidomos tek personat me sëmundje kronike. Moti ndikon edhe te të rinjtë duke iu shfaqur dhimbje koke e vështirësi të tjera.”, – deklaroi mjekja në Ndihmën e Shpejtë, Margareta Atanasovska.

Qytetarët thonë se për ta kjo periudhë nuk është aspak e lehtë dhe çdo ndryshim i motit ndikon dukshëm në shëndetin e tyre.

“Ndikon, jo vetëm tek unë, por tek të gjithë.”, – tha një qytetare.

“Po normale që ndikon, por nuk është diçka tragjike. Varet te kush, secili përballet individualisht me problemet shëndetësore.”, – tha një qytetare tjetër.

“Ndihem i lodhur, i këputur, pak sikur përtoj, i përgjumur paksa, sidomos kur bie shi dhe ndryshon moti, sikur p.sh. nga 20 gradë e lart, të nesërmen bie temperature në 10.”, – u shpreh një qytetar.

“Po e ndjej, kam probleme me tensionin dhe diabetin dhe sapo ndryshon koha ndikon tek unë në shëndetin tim.”, – u shpreh një qytetar tjetër.

Sipas sinoptikanëve, edhe ditëve në vijim pritet mot i paqëndrueshëm me reshje shiut e rënie të temperaturave. Kurse gjatë ditës së nesërme parashohin temperatura nga 5 deri në 7 gradë celsius.

“Paqëndrueshmëri e theksuar e motit do të vërehet gjatë ditës së nesërme. Do të mbretërojë mot jostabil, i lagësht, me reshje lokale të shiut, erë të fortë në formë stuhie, në disa zona me breshër e bubullima, si dhe shkarkime të forta elektrike.”, – theksoi sinoptikania, Natasha Aleksovska.

Moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë deri të premten. Nga fundjava e ardhshme pritet rritje e temperaturave.