Ndonëse pritej ulje, çmimet në treg mbetën të pandryshuara
Pritën uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, por qytetarët në ditën e parë të muajit dhjetor, janë të zhgënjyer, pasi çmimet vazhdojnë të mbeten njësoj sikur muajin e kaluar. Çmimet nuk janë ulur pavarësisht paralajmërimit të Qeverisë për ulje të çmimeve deri në 10 përqind, për produktet ushqimore.
“Nuk ka asnjë ulje të çmimeve, nuk vërejta askund. Ishim edhe në market edhe në treg, çmimet janë njësoj sikur më herët…Shumë vështirë, me këtë që po na thonë, vështirë se do të kemi ulje të çmimeve”
“Njësoj është, sikurse e morra dje njësoj edhe sot. Dëgjuam në television se do të ketë ulje të çmimeve por akoma nuk ka.”
“Njësoj sikur më herët… “.
“Standard njësoj”.
“Unë ja me pension, nuk kam tani para që të marr bukë…Me pensionin tim i ushqej të gjithë, dy vajza, tre nipa, renë dhe të gjithë me pensionin tim…Tani bukë duhet të shkoj të marr, nuk kam të holla”.
Disa thonë se nuk i kanë marrë parasysh paralajmërimet dhe as që kanë kontrolluar për ndonjë lirim, ndërsa të tjerët thonë se përveç që nuk kanë hasur ulje të çmimeve të ushqimit, kanë hasur rritje të çmimeve të produkteve të tjera, të revoltuar, thonë se duhet të protestohet.
“Çmimet katastrofë, tash që ishim në market, shamponi prej 119 që ka qenë tash është bërë 160, duhet të del inspekcioni. Të gjitha që i kam marr prej muajit kaluar, tash nga 20-30 denarë më shtrenjtë… Popullata duhet të del në protesta.”
“Duhet të protestojmë, të dalim, të ankohemi, pa ankesa nuk përparojmë assesi… Mjaft vështirë, nuk e di, me këto rroga që i kemi problem.”
“Jo, as që i kam shikuar, të ju them të drejtën.”
Nëse ka ose jo parregullsi, kërkuam qëndrim nga inspektorati i tregut, por nga atje nuk ka përgjigje. Pasi siguroi energji elektrike më të lirë për të gjitha kompanitë që prodhojnë ushqimet bazë, Qeveria paralajmëroi ulje të çmimeve të ushqimit nga fillimi i muajit dhjetor. Sipas të dhënave të fundit të ESHS-së shporta konsumatore për një familje katër anëtarëshe ka arritur në 51 500 mijë denarë në muaj. /Alsat.mk