Lajmet e reja

Ndodh në Shkup: Studentja ka specializuar në mjekësi ende pa diplomuar, ka dhënë vetëm 5 provime në fakultet (Video)

Snezhana Trençeva, ka marrë pagë tre vite rresht në ordinancën private “Kala Medical” në Shkup, ku është paraqitur si “specialiste e mjekësisë familjare” me 1018 pacientë në emrin e saj. Ordinanca kishte lidhur marrëveshje me Fondin e Shëndetësisë dhe e kishte paraqitur Trençevën si “doktore të zgjedhur të mjekësisë”, edhe pse ajo kishte dhënë vetëm pesë provime në Fakultetin e Mjekësisë dhe asnjëherë nuk ishte licencuar nga Oda e mjekësisë, as si mjeke e përgjithshme, e as si specialist. Këtë rast për “Slloboden Peçat” e kanë konfirmuar edhe Fondi, Fakulteti i Mjekësisë dhe Oda e Mjekëve në Shkup.

“Ju njoftojmë se Snezhana Trençeva nuk është e regjistruar në regjistrin e licencave të lëshuara, të rinovuara, të vazhduara dhe të revokuara në Odën e Mjekëve”, thonë nga Oda për “Slloboden Peçat”.

Institucionet konfirmojnë se Trençeva edhe pse nuk ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë, megjithatë është regjistruar dhe ka kryer specializimin privat në mjekësi familjare në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Menjëherë pasi gazetarët filluan të bënin pyetje, ky specializim u anulua shprehimisht nga këshilli arsimor dhe shkencor. Arsyeja është se nuk mund të specializohet para se të diplomohet.

Prokuroria në hetimin paraprak kontrollon nëse bëhet fjalë për shaka, apo versioni i treguar nga Trençeva është i vërtetë. Sipas saj, ajo nuk është paraqitur asnjëherë në ordinancën “Kala Medical” dhe nuk ka trajtuar pacientë.

“Dokumentet i kam dhënë që të më ecë stazhi dhe nuk kam trajtuar pacientë”, pohon Trençeva

Sipas Trençevës, ajo dokumentet ia ka dhënë mjekut me vetëdije, mirëpo jo për të trajtuar pacientët dhe se dikush tjetër ka përdorë vulën me emrin e saj.