Ndërroi jetë mjeshtri nga Kumanova i cili ndërtoi qindra shtëpi
Ajaz Rexhep Maliqi lindi me 24 qershor të vitit 1954 në fshati Caravajkë, vend në malësinë e Preshevës në një familje malësore bujare dhe me tradita të lashta shqiptare. Në vitin 1964 familja e tij u vendosën në Çerkez të Kumanovës për një jetë më të mirë. Nuk kaloi shumë kohë dhe babai i tij ndërroi jetë, duke e lënë Ajazin në moshën e re, 15 vjeçare.
Si shumë i ri së bashku me vëllezërit e tij morën përsipër barrën e familjes dhe sfidat e jetës.
Ai filloi të punoj punë krahu, por shumë shpejtë e mësoi zanatin e ndërtimtarisë dhe për një kohë të shkurtër, në moshë të re, e përvetësoi zanatin dhe u bë mjeshtër i njohur e afarist i dalluar në zejën e tij në Çerkez e Kumanovë.
Vlenë të theksohet se Ajazi hapat e parë të ndërtimtarisë i bëri në Gostivar në vitet 70-ta e pastaj u kthye në fshatin Çerkez dhe Kumanovë ku punoi gati 20 vite.
Vetëm në Çerkez ndërtoi mbi 100 shtëpi e mandej në Kumanove dhe rrethinë mbi 100 të tjera.
Ai ndërtoi shtëpi edhe në qytete të tjera si: Tetovë, Shkup, mandej Preshevë, Bujanoc, Gjilan, Viti, Ferizaj, të gjitha me një stil të vecantë ndërtimi. Punësoj qindra punëtorë duke u siguruar bukën e gojës për familje të tëra.
Pas luftës së Kosovës më vitin 1999, ai u transferua në Prishtinë dhe atje vazhdoi veprimtarinë e tij në sferën e ndërtimit. Edhe atje shumë shpejtë u bë njëri ndër ndërtimtarët më të njohur.
Në vitin 2001 gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Maqedoni, ai në mënyra të ndryshme ndihmoi pjesëtarë të shumtë të UÇK-së nga Kumanova, e sidomos nga Çerkezi. Ajazi shumë prej tyre i ka punësuar në ndërmarrjen e tij për të siguruar një pagë të nevojshme për tu mundësuar që ata të kthehen pa pengesa në shtëpitë e tyre.
Pas kësaj periudhe Ajazi vazhdoi veprimtarine e tij në Prishtine dhe qytetet tjera të Kosovës, duke zgjeruar edhe në Shqipëri e Mal të Zi, si në Podgoricë, Tivar dhe Ulqin.
Një kohë të shkurtër përvojën e tij prej ndërtimtarie e begatoj edhe ne shtetet europiane si në Suedi e të tjerë. Që në fund të kthehet përsëri në Prishtine, ku vazhdoi të jetoj vitet e pensionimit pranë familjes së tij, nipave dhe mbesave.
Edhe pse jetoj në Prishtinë, ai kurrë nuk e harroj vendlindjen e tij Caravajkën dhe Çerkezin, të cilët i donte shumë. Ai shpesh e vizitonte familjen e tij në Kumanovë, vëllezërit, motrat, farefisinë, miqtë dhe shokët për të cilët kishte konsideratë të veçantë.
Përveç që ishte ndërtimtar i shkëlqyer, ai ishte njeri shumë i mirë, i dashur për të gjithë. Ishte njeri me vlera të larta njerëzore, humanitare, kombëtare e fetare.
Ishte njeri i sakrificës, kontribues i madh në të gjitha sferat e jetës.
Vlen të theksohet se me kontributin e tij shembullor dhe të pakursyer sot në familjen e ti Maliqi ka kuadro të shkolluara si: juristë, ekonomistë, profesorë, mjekë, inxhinierë dhe profile të ndryshme.
Zanatin e Ajazit e kanë trashëguar edhe vëllezërit, djemtë dhe nipat e tij, të cilët sot me shume zell e ushtrojnë në Kumanovë dhe vende të ndryshme në trojet shqiptare dhe ato europiane.
Ajazi si i ri ishte sportdashur, merrej me atletikë, dhe sidomos me lojën e shahut.
Ai ndërroi jetë dje (me 23 prill të vitit 2021) në Fushë Kosovë. Pas tij ka lënë dy djemë, vajzën, nipa e mbesa.