Ndërrimi i orës pas analizave dhe koordinimit me vendet e rajonit
Në fund të javës do të publikohen analizat që do të ndihmojnë institucionet të vendosin nëse ne vend do to të mbetet në fuqi përllogaritja verore e ditë natës, apo ora do të ndryshojë në fund të muajit, shkruan Alsat. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen analizat e bëra nga ky dikaster. Shqyrtimi i kësaj mundësie vjen pasi Qeveria vlerëson se lënia në fuqi e orës verore do të ndihmojë në kursimin e energjisë elektrike. Ora dimërore fillon nga fundjava e fundit e tetorit, e cila i kthen akrepat e orës një orë prapa.
“Nuk është i rëndësishëm mendimi im. E rëndësishme është se çfarë do të tregojnë analizat që të kemi efekt pozitiv. Edhe për bizneset edhe për qytetarët. Tashmë bëhen analiza dhe me shumë mundësi rezultatet do të dihen deri në fund të javës. Vendimi më pas duhet të merret deri në fund të muajit, ashtu siç parashikohet me ligj”, deklaroi Kreshnik Bekteshi- Ministër i Ekonomisë.
Kryeministri Kovaçevski tha se kur të shqyrtohet vendimi për atë se a do të mbetet në fuqi ora verore apo ajo dimërore përveç analizave, do të merret parasysh edhe përllogaritja kohore tek vendet fqinje.
“Gjithashtu analizojmë edhe afërsinë tonë me zonën kohore të fqinjëve, pra Greqinë dhe Bullgarinë, pra në zbatimin e përllogaritjes kohore tek ne vizavi vendeve të tjera që kanë të njëjtën mënyrë të përllogaritjes së kohës si ne, por janë shumë më në perëndim dhe dita zgjat më shumë tek ata”, tha Dimitar Kovaçevski- kryeministër i RMV-së.
Mbetja në fuqi e përllogaritjes verore të kohës do të thotë që në muajt e dimrit agimi do të jetë një orë më vonë, por edhe dita do të zgjasë më shumë, kështu që në vend që të fillojë të errësohet, për shembull, në orën 16:00, do të errësohet në orën 17:00. Debati për heqjen e orës dimërore dhe verore u hap nga Komisioni Evropian katër vjet më parë. Një sondazh i realizuar në atë periudhë tregoi se rreth 83 për qind e banorëve të BE-së deklaruan se ishin “pro” për heqjen e kësaj mënyre të përllogaritjes së ditë natës, pas së cilës KE-ja paraqiti një propozim zyrtar në Parlamentin Evropian, i cili e miratoi atë në vitin 2019.Prandaj, heqja duhet të ishte aplikuar nga viti i kaluar, ku secili shtet anëtar duhet të zgjedhë se cilin sistem orar do të mbajë. Megjithatë, në praktikë kjo nuk ndodhi./Alsat.mk