BallinaMaqedoni

Ndërpriten punimet për kanalizimin në Zajaz për shkak të falementimit të një banke në Azerbejxhan! (Video)

Banorët e disa lagjeve të Zajazit vazhdojnë të jenë të revoltuar për ndërprerjen e punimeve të rrjetit të kanalizimit. Ka një muaj që punimet janë ndërprerë dhe gjithçka është lënë përgjysmë, rrugët janë shkatërruar tërësisht dhe vende-vende janë edhe të pa kalueshme. Një situatë të tillë është edhe në fshatin Zajaz Teqe ku rrugët e disa lagjeve janë në këtë gjendje, ku disa banorë nuk mund të hyjnë as në shtëpi me veturat e tyre.

“Derisa ata ishin duke punuar na thoshin se ne i lëmë përkohësisht kaluese se duhet të bëhet përfundimi të kyçen shtëpitë edhe të përmirësohen rrugët dhe t’u vendosen kapak metali me rrafshin e rrugës, e tash me tërheqjen e firmës qe la punën ne kemi ngel në mjerim, as atëherë nuk kanë qenë të përfunduara vetëm 80% të sanuara sa të kalojmë e tash pasi ra shi ne jemi në këtë gjendje ne tash e kemi harru kanalizimin si luks ne jemi frikësuar si do ta kalojmë jetën tutje”, tha Muadin Bajrami, banor i fshatit Zajaz – Teqe.

Druajnë se tani me ardhjen e vjeshtës dhe dimrit, rrugët do të gërryhen krejtësisht nga shirat dhe do të bëhen të pa kalueshme, ndërsa sa i përket rrjetit të kanalizimit shprehen se nuk dinë çfarë po ndodh.

“Thanë se janë mjete të huaja këta, e tash pse u ndalën? Pse nuk funksionon ku qëndron puna nuk është problem jonë, ne as që e kemi ditur kush e ndërton, vetëm kemi ditur që është komuna shkaktare që i ka siguruar mjetet, asgjë tjetër. Ne nuk dimë as kush na la në këtë gjendje, por ne në këtë gjendje nuk do të rijmë do ta humbim durimin dhe gjithë kjo lumturi do të na kthehet në ashpërsim”, tha Bajrami.

Fondet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit nga Zajazi e deri në Drugovë të Kërçovës u siguruan nga Bashkimi Europian. Punimet nisën, por para një muaji u ndërprenë.

TV21 kërkoi qëndrim nga Zyrat e BE-së në Shkup nga ku thanë se nga ana e tyre është gjithçka në rregull, ndërsa sa u përket ndërprerjes së punimeve na orientuan që përgjigje të kërkojmë tek Ministria e Financave si punëdhënëse e kompanive për realizimin e projektit.

Ka dy javë që TV21 ka pyetur te ministria e Financave për të mësuar se pse u ndërprenë punimet, por nga atje nuk kemi marr përgjigje, ndërsa e vetmja gjë që na është thënë në komunikim joformal është se së shpejti do të përgjigjen.

TV21 jo zyrtarisht mëson se kompania “Akelik Group LLC” nga Azerbajxhani e cila fitoi tenderin për të kryer punimet, garancinë bankare prej 2 milionë eurove e ka siguruar nga një bankë e Azerbajxhanit e cila ka falimentuar dhe kjo ka bërë që kompania në fjalë të pezullojë punimet.

Siç mëson TV21 afati për përfundimin e projektit është deri në shkurt të vitit 2025, afat ky i shkurtër kohorë që ia vështirëson kompanisë realizuese që të sigurojë garanci tjetër bankare, andaj ata kërkojnë nga Ministria e Financave si punëdhënëse e projektit ta shtyjnë afatin e realizimit të punimeve.

Në këtë rast i mbetet Ministrisë së Financave si punëdhënëse dhe Ministrisë së Ekologjisë si përfituese e këtij projekti që të marrin hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj situate e cila i ka lënë plot pikëpyetje banorët e Zajazit.