Maqedoni

Ndërprehet greva në hekurudha, drejtori Gjeneral Demiri siguroi paga për punëtorët

Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut Transport ShA- Shkup informojnë opinionin se transporti hekurudhor është rikthyer në funksion, dhe se punëtorëve u janë paguar pagat e mbetura. Drejtori Gjeneral i HM Transport, Zulhajrat Demiri i cili e mori detyrën në mars të këtij viti, realizoi premtimin dhe për një muaj jo të plotë në pozitën në të cilën ndodhet, siguroi pagesën e pagave për punëtorët. Demiri mbajti mbledhje me përfaqësues të sindikatave dhe makinistët e kompanisë. Takimi kaloi në atmosferë konstruktive dhe diskutuan për sfidat me të cilat përballet kjo kompani si dhe kushtet me të cilat punojnë punëtorët.

Drejtori Gjeneral Demiri theksoi në takim se përmes dialogut të ndërsjelltë me organizatat sindikale dhe menaxhmentin e Hekurudhave do të angazhohet të gjendet zgjidhje e përhershme dhe sistematike për problemet e grumbulluara në vitet e kaluara në HM Transport ShA – Shkup.