NATO dhe SHBA fillojnë tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizata Veriatlantike kanë nisur tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani.
Më shumë se 100 ushtarë të SHBA-ve janë tërhequr së bashku me mjetet ushtarake.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka lëshuar urdhrin për të filluar tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani jo më larg se me datë 1 maj, raporton CNN përcjell Klan Kosova.
Zëvendëssekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se tërheqja e plotë duhet të ndodhë deri më 11 shtator.
Administrata e ish-presidentit, Donald Trump, pati arritur një marrëveshje me talibanët për tërheqje të trupave të huaja në këmbim të garancive se nuk do të lejojnë që Afganistani të bëhet strehë e grupeve terroriste si dhe të pranojnë negociatat e paqes me qeverinë afgane.
Zyrtarë të lartë afganë thonë se talibanët po përdorin forcë në përpjekje për të fituar territor derisa trupat e huaja po tërhiqen.
Talibanët kanë zhvilluar një kryengritje dy dekadëshe që kur u dëbuan nga pushteti nga trupat e udhëhequra nga SHBA-ja më 2001.