Kosovë

Mustafa: Pajtimi i Kurtit me draftin e Asociacionit që ia la në derë Pesëshja ndalë të keqën më të madhe

Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se zvarritja në procesin e dialogut ka pasur kosto politike për Kosovën.

Ai thotë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nga krekosja ndaj ndërkombëtarëve për sovranitet në veri mbetën vetëm me kartën e sigurisë, ndërkohë që shton se nga dialogu për njohje reciproke kanë degraduar në de-eskalim dhe Asociacionit ia kanë shtuar edhe vetëmenaxhimin.

Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se çdo vonesë shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës.

“Prolongimi i dialogut, koncentrimi në tema populliste dhe injorimi i partnerëve strategjikë u treguan me kosto politike për Kosovën. Qeveria dhe presidentja nga krekosjet ndaj amerikanëve dhe evropianëve me temën e sovranitetit tani, pas agresionit serb në veri të vendit, iu mbeti vetëm karta e sigurisë. Nga zgjidhja përfundimtare me njohje zbritën në zgjidhje për deeskalim, ndërkaq Asociacionit ia shtuan vetëmenaxhimin serb dhe statusin (shtetëror) të kishës ortodokse serbe. Aq sa po prolongohet procesi, ai po reflektohet qartë në dëm të Kosovës e në dobi të Serbisë”, ka thënë Mustafa.

Marrë parasysh dëmin e shkaktuar nga vonesat, Mustafa thotë se pranimi i dokumentit evropian për Asociacionin, që sipas tij, iu la në derë Kurtit, është një hap që e ndalë të keqën më të madhe.

“Prandaj pajtimi i Qeverisë me dokumentin e Asociacionit të cilin ua la në derë pesëshja ndërkombëtare, është një hap që e ndalë të keqen edhe më të madhe”.

Ish-kryeministri thotë se tani është e rëndësishme që të shfrytëzohen elementet nga marrëveshjet paraprake, si ai për verifikim në Gjykatë Kushtetuese dhe të përdoren të gjithë mekanizmat shtetëror për ambientimin e Asociacionit brenda sistemit kushtetues të Kosovës.
“Tani me rëndësi është të shfrytëzohen elementet e marrëveshjeve paraprake të cilat i japin autorizime Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë përputhshmërinë e Statutit me Kushtetutën dhe më vonë shqyrtimin në të njëjtën formë të çdo ndryshimi të Statutit, për çfarë është pajtuar z. Vuçiq në dokumentin për parimet ( dhe e ka nënshkruar atëherë). Këtë dispozitë e kemi siguruar në dokumentin e vitit 2015, sikurse edhe zotimin me shkrim të znj. Mogerini. Me rëndësi është të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat shtetëror që Asociacioni të ambientohet brenda sistemit tonë kushtetues. Obligimet që janë marrë në Bruksel dhe Ohër do duhej të Implementohen”, ka thënë ish-kryeministri për Express.

Ndryshe, Kosovës i është bërë thirrje për nisje të procedurave për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që de facto ta njohë shtetësinë e Kosovës.

Kështu është thënë në një komunikatë të publikuar të premten nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Ata e kanë publikuar këtë komunikatë një ditë pas takimeve që kanë zhvilluar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në margjina të samitit të BE-së.

Në këto takime kanë marrë pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në komunikatë, dy vendeve u është bërë thirrje për zbatim të Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri në shkurt të këtij viti, por pa nënshkrime.