July 5, 2024
Kolumna

Musliu / U bo “bozë në qeveri”, a dot ndodh edhe në BDI !

Shkrun, Bexhet Musliu

Shkup, 12 maj – BDI nuk kanë probleme ideologjike e politike, por probleme konkrete, reale, banale!

Çfarë mesazhi po jap këtyre ditëve Artan Grubi bashkëpartiakëve të tij ? A po harron GRUBI se nuk është bërë vet i ‘mëdh’, po e kanë bërë votuesi, të cilin keni filluar ta habisni!

Një thënie e vjetër thotë se “nga një lis bëhen mijëra shkrepësa, por me një fije shkrepëse e kall një mal”.

Pra pakënaqësitë e “grupit të zjarrtë” në Bashkimin Demokratik për Integrim ndaj Artan Grubit që nga fillimi i emërimit të tij në postin, Ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për çështjet kadrovike sa vijnë e shtohen dhe të njëtat duket se kanë qenë dhe janë me vend.

Dilemat ishin nëse Grubi do të tentojë të hakmerret dhe të bëjë veprime kokë më vete ndaj atyre që nuk i ka për qejfi brenda BDI-së dhe ashtu edhe siç pritej kjo po ndodh pikërisht tani. Artan Grubi lëre që nuk pyet degën për veprimet e tij, por shtrohet pikëpyetja a e pyet dhe a po e njofton kryetarin e partisë Ali Ahmeti?

Rast më i freskët është tentimi për ta shkarkuar nga posti i Zëvendës drejtori të doganave të Maqedonisë, Irfan Buçin, i cili vjen nga dega e BDI-së në Çair. Për befasi të të gjithëve, Artan Grubi ka kërkuar me shkresë zyrtare nga Qeveria që ta shkarkojë Buçin, e duket se kjo nismë është për arsye se Grubi po tenton që të merr timonin e bastionit të BDI-së në Çair dhe të kontrollojë këtë degë.

Ashpër në këtë tentativë ka reaguar kryetari i degës, Izet Mexhiti dhe njëherësh deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, i cili ka thënë se për këtë rast ka kuptuar nga mediat se çfarë po ndodh, ndërsa këtë tentim e ka quajtur mosrespektim të organeve partiake duke i lejuar të mbizotërojë kapadaillëku i Artan Grubit. Pas reagimeve të shumta, duket se Grubi e ka tërhequr kërkesën për shkarkimin e Buçit dhe kjo çështje në moment të fundit është shtyrë për disa javë.

Ky gjest i Grubit, i cili po tregon muskujt tani qartësisht tregon se ai me qëllim po ngacmon “grupin e zjarrit” dhe po irriton të pakënaqurit brenda BDI-së, duke e matur pulsin e tyre dhe forcën e reagimit të tyre.

Në rrjetet sociale kishte reagime të shumta për veprimin e Grubit, por edhe komente se si Ali Ahmeti është bë i verbër dhe i shurdhur, dhe aspak s’po mërzitet se çfarë po ndodh në partinë e tij!

Dilema në opinion ende është e freskët dhe e habitshme se si Ali Ahmeti po toleron që partia e tij të shkon drejtë shkatërrimit?

Si Ali Ahmeti po toleron që për një “plesht” ta djegë të gjithë jorganin, siç thotë populli!

Kanë kaluar mbi afër shtatë muaj që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ende nuk ka reflektuar për të ulur tensionet brenda kësaj partie, ndërsa zgjedhjet lokale po afrohen. Nëse nuk ka përafrim të qëndrimeve, të gjitha analizat tregojnë se kjo përçarje do ta kushton shumë Ahmetin, e që është mosreflektim i tij në momentet kur kjo është më se e nevojshme!

Madje, nuk duhet harruar se në seancën e mbrëmshme u shkarkua Fatmir Limani nga posti Drejtor në ELEM.

Ky vendim, veprim la shumë dilema të paqarta dhe atë duke u pyetur se përse Ali Ahmeti nuk shkarkoi Gëzim Ostrenin kur u tërhoq nga BDI dhe hapi subjekt në vete? Madje edhe në rastin e djalit të Hisni Shaqirit !

Fatmir Limani njihet në Kërçovë si një i afërt i Musa Xhaferit dhe një ndër njerëzit më besnik të lëvizjes kombëtare.

A mund të konsiderohet shkarkimi i Limanit si një porosi nga Ahmeti ose Artan Grubi ndaj Musa Xhaferit?

Pyetja që e ka prekur gjithsecilin është nëse e meriton djali i dëshmorit, Fatmir Limani, i vetmi nga Kërcova këtë trajtim!

Ka kohë që është përfolur në BDI që Ali Ahmeti mund të jetë i “shantazhuar” dhe për këtë arsye nuk ka guxim të dalë e të marrë kontrollin e partisë por e lë atë në duar të Artan Grubit!

Me mosreagimin e Ali Ahmetit, po habitin të gjithë njohësit e politikës, e sidomos duke njohur politikën e krijimit dhe shkatërrimit të partive politike në Maqedoninë e Veriut. Partitë e mëparshme, u dobësuan dhe më pas u shkatërruan, pikërisht nga njerëz të infiltruar dhe me shantazhe të ndryshme, duke i nxjerrë fillimisht jashtë partisë njerëzit që e kishin themeluar këtë subjekt, njerëzit që janë bërthama e partisë dhe ata që kanë përkrahjen më të madhe.

Sistemi me qëllim i ngritë njerëzit që nuk kanë përkrahje në elektorat dhe në popull, duke krijuar përçarje dhe pakënaqësi e pastaj edhe duke imponuar politikat e tyre të shkatërrimit të të gjitthë partisë.

Partinë e mbajnë njerëzit që i do populli, njerëzit që i votojnë ata dhe kjo është rregulli i artë i demokracisë. Atë që e do populli ai duhet të udhëheqë, e jo të ndodhë e kundërta. Dikush tjetër të votohet, e dikush tjetër të udhëheqë.

Prandaj dilemat që opinioni dhe ekspertët i shohin se a është edhe kjo një prej përpjekjeve që BDI të zhveshet nga elementet kombëtare të UÇK-së. BDI pa UÇK-në dhe vlerën e luftës kombëtare do ta ketë të vështirë të mbijetojë, e sidomos me njerëz të infiltruar që gjithmonë kanë punuar kundër interesit kombëtar.

Shkarkimet e fundit edhe një herë lënë të nënkuptohet se nuk respektohet mendimi ndryshe në BDI sepse me heqje kokash nuk ka demokraci!

Është momenti i fundit që Ali Ahmeti duhet të reflektojë, ti hap sytë dhe të bëjë analizën e tij në vetvete se ku ishte, ku është dhe ku do të shkojë në të ardhmen.