Mungesë e ushqimeve në Rripin e Gazës, mijëra palestinezë të hyjnë me forcë në depot ku janë vendosur ndihmat ushqimore
Situata e vështirë e mungesës së ushqimeve në Rripin e Gazës ka shtyrë mijëra palestinezë të hyjnë me forcë në depot ku janë vendosur ndihmat ushqimore.
Drejtues i agjencisë së OKB-së në Gazë, Thomas White, deklaroi se kjo hyrje në depot e ushqimeve është një shenjë shqetësuese se rendi civil ka filluar të prishet pas tre javësh luftë mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.
Sulmet po vijojnë ende në Rripin e Gazës, kryesisht pranë spitalit më të madh në vend. Sulmet ajrore nga avionët izraelitë po ndodhin pranë spitalit Shifa që është i tejmbushur me pacientë dhe civilë që kërkojnë strehim, pasi autoritetet dyshojnë se militantët e Hamasit kanë një qendër komanduese aty.
“Jeta është shumë frustruese, këtu janë fëmijët, duan të hanë e të pinë, kanë nevojë për bukë..kjo vdekje nuk është nga raketat, është një vdekje e ngadaltë, fëmijët po vdesin ngadalë, janë të izoluar nga bota, është si burg”, tha Sanaa Abu Samra, banore e Gazës.
Mijëra persona po kërkojnë mjekim në qendrën mjekësore, ndërsa numri ka ardhur duke u shtuar edhe si pasojë e shpërthimeve.
“Ne kemi marrë rreth 20 mijë civilë që sapo qëndrojnë në spital sepse nuk kanë hapësirë tjetër përveç spitalit…kjo përbën një situatë të keqe. Tani kemi sëmundje të rënda të frymëmarrjes, sëmundje diarreje, kemi epidemi të këqija brenda spitalit, madje edhe ekipi mjekësor është i lodhur”, theksoi Mohammed Qandeel, emergency director at Nasser hospital.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vlerësohet se 1.700 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja të ndërtesave të shkatërruara. Numri i viktimave në Gazë u rrit të shtunën, duke arritur mbi 7.700. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se shumica e viktimave janë gra dhe të mitur.
Sulmet vijnë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi për “fazën e dytë” të luftës së Izraelit ndaj Hamasit, tri javë pasi Hamasi kreu sulme në Izrael më 7 tetor. Tanket dhe këmbësoria gjatë fundjavës hynë në Gazë, në atë që zyrtarët e përshkruan si zgjerim të ofensivës tokësore, përderisa Izraeli sulmoi terrorin nga ajri, toka dhe deti.