Mund të ndryshojë mënyra e shfrytëzimit të shujtës studentore – Shuma qëndron e njëjtë
Deri në fund të dhjetorit studentet presin që ndryshimet në ligjin për racionin studentor të miratohen të parlament, shkruan Alsat.
Propozimin i studentëve është që racioni studentor të mund të grumbullohet brenda një jave dhe që 140 denarët e grumbulluara mos të zhduken në mesnatë nëse nuk shfrytëzohen brenda ditës por të mund të shfrytëzohen edhe gjatë gjithë javës .
Sipas Ministrit Jeton Shaqiri studentet kanë kërkuar që në fundjavë ose në fillim të javës të bëjnë furnizimin për ushqimet e shëndetshme me racionin e caktuar ditor dhe sipas ministrit Shaqiri kërkesa e tyre po shqyrtohet.
“Kemi pasur një takim me parlamentet studentore të cilët kanë kërkuar dhe mbështetur iniciativën të cilën e kemi sjellë që të jetë në bazë ditore por në të njëjtën kohë për arsye të shfrytëzimit dhe është kërkuar që në fundjavë ose në fillim të javës të bëjnë furnizimin për ushqimet e shëndetshme dhe i kam mbështetur duke u thënë se do të shqyrtojmë me grupet e caktuara të deputetëve për këtë ndryshim i cili duhet të propozohet në parlament dhe të kaloj, në momentin që do të kaloje si propozim ligj patjetër se do ta zbatojmë si ministri”, tha ministri Jeton Shaqiri.
Por se a do të shqyrtohet mundësia e rritjes së vlerës apo do të mbetet në 140 denarë siç ishte deri tani, ministri Shaqiri tha që më shumë gjasa do të mbetet e njëjtë.
“Në bazë të dhënave të cilat i kam dhe sipas informacioneve të inflacionit do të mbetet 140 denarë”, u shpreh ministri Jeton Shaqiri.
Sipas Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshim në Arsim propozimi i studentëve që të zgjatët koha e shfrytëzimit të racionit studentor do të ishte më efikas nëse studentet e vetë menaxhojnë pjesën e harxhimeve në javë e jo brenda ditës siç është tani por me 140 denarë sipas Hodait, studentet nuk mund të merren as gjerat elementare.
“Jemi dëshmitar të rritjes së inflacionit dhe shportës konsumatorë dhe 140 denarë nuk mund të merren as gjërat elementare për një student që të kaloje një ditë andaj në qoftë se kjo nuk do të pranohet nga ministria e shkencës së bashku me studentet do të merremi vesh se cilat do të jenë hapat e mëtejshme që ta shqyrtojmë si ide për rritjen e shujtës studentore”, tha Blendi Hodai – nga Forumi për Ndryshim në Arsim.
Sipas ligjit aktual, studentët të cilët nuk i shfrytëzojnë 140 denarët brenda ditës këto para zhduken në mesnatë.