September 28, 2024
Maqedoni

Mucunski: Nesër fillojmë bisedimet me VLEN-in, si VMRO kemi vijat e kuqe dhe nuk pres marrëveshje në takimin e parë…

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski sonte paralajmëroi se nesër pritet të fillojnë bisedimet për bashkëpunim eventual me koalicionin VLEN rreth qeverisë së ardhshme.

Nuk pret që menjëherë të arrihet marrëveshje, edhe pse marrëveshja, siç tha, është e sigurt “nëse ekziston besimi i mirë, pritje reale dhe fokus në politikat në interes të qytetarëve”.

Sipas tij, ende nuk është bisedeuar me VLEN-in për çështjet dhe kërkesat konkrete lidhur me pjesëmarrjen e tyre eventuale në përbërjen e ardhshme qeveritare.

“Nesër do të fillojnë bisedimet. Gjithsesi, jam i bindur se nuk do të gjejmë gjuhë të përbashkët menjëherë në takimin e parë. Do të prezantohen qëndrimet e të dyja palëve, do të shohim si do të jenë pikëpamjet, por nëse kemi besim të mirë mes vete, nëse jemi realë për pritshmëritë dhe nëse jemi të fokusuar në krijimin e politikave në interes të qytetarëve ta kthejmë shpresën në këtë shtet të pashpresë, pashpresa që ishte, unë do të thoja, simbol kryesor në shtatë vitet e fundit të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, atëherë do të gjejmë gjuhë të përbashkët. Është optimiste të thuhet se nesër do ta arrijmë këtë, por besoj se shpejtë do të gjejmë plan konkret”, deklaroi Mucunski për TV Alsat.

Ai shtoi se VMRO-DPMNE tashmë ka ndërmarrë masa konkrete për formimin e vijave se si do të duket qeveria e ardhshme.

Pritjet janë se edhe pa subjekt më të madh politik mund të arrihet numri i 61 deputetëve, sepse, vlerësoi, gjithnjë e më shumë deputetë për momentin duan të bëhen pjesë e shumicës.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski sot mbajti takim me partitë e koalicionit “Maqedonia e juaj” prej të cilëve tha se ka marrë mbështetje për fillimin e bisedimeve për formimin e qeverisë së ardhshme.