BallinaMaqedoni

Mucunski: BE është prioritet për RMV-në

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, pas informacioneve se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po ndahen në rrugën drejt BE-së, thotë se duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj reformave, dhe se nga pikëpamja e politikës së jashtme, ne do të vazhdojmë komunikimin me partnerët tanë strategjikë dhe vendet anëtare të BE-së – për t’i bindur ata se duam që negociatat e anëtarësimit të hapen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Është prioriteti ynë kryesor, por ne jemi në kërkim të krijimit të një sistemi përmes të cilit do të ketë parashikueshmëri në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë”, tha ministri Mucunski në një intervistë për MIA-n.

I pyetur se si i komenton informacionet nga Brukseli se nëse deri për Vitin e Ri nuk ka ndryshime kushtetuese, do të ndalen bisedimet për anëtarësimin tonë në BE, ministri i Jashtëm thotë se dyshon që një gjë e tillë të ndodhë.

„Nuk dua të besoj në brifingje. Unë dua të besoj atë që po themi me përfaqësuesit politikë të vendeve anëtare, por edhe me përfaqësuesit e BE-së, dhe kjo është se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor, se dëshiron integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor, dhe nga ky këndvështrim, duke e ditur dhe thelbin e politikës së zgjerimit si politikë e përbërë e BE-së, dyshoj se do të ketë ndërprerje në ndonjë bisedë me shtetin. Kemi një proces për të ecur përpara. Po, duhet kërkuar një kompromis, por një kompromis në të cilin do të jemi të sigurt se nuk do të kemi shtrembërime shtesë të shenjave identitare të popullit maqedonas, tha Mucunski.

Ministri tha se nuk do të komentojë deklaratat e politikanëve bullgarë nga këto ditë, ndërsa për deklaratën tha se sa herë që ka zgjedhje në Bullgari bëhet një lloj deklarate.

“Nuk do t’u jap atyre privilegjin që të hyjnë në diskursin e përditshëm të asaj fushate dhe uroj një përfundim më të suksesshëm të fushatës. Le të kemi një qeveri politike, po e përsëris, e cila me legjitimitet të plotë politik do të na flasë për të gjitha çështjet e hapura, sepse aq sa na intereson neve kjo ngecje e proceseve evropiane, besoj se edhe ata që besojnë autentikisht në të ardhmen evropiane të Bullgarisë, edhe ata duan ta zhbllokojnë këtë proces për të ecur përpara në të njëjtat rrugë“, tha Mucunski.