September 8, 2024
Maqedoni

MPB, Toshkovski: Situata në vend është stabile

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas vizitës në sektorin për punë të brendshme në Shkup, njoftoi se në prag të zgjedhjeve të dyfishta dhe fushatës parazgjedhore, gjendja e sigurisë në territorin e Shkupit dhe në tërë territorin e vendit është stabile. Toshkovski edhe njëherë bëri me dije se në prag të zgjedhjeve, të gjithë të rinjtë që kanë mbushur moshën 18 vjeç që nesër të drejtohen në Sektorët për Punë të Brendshme në mbarë vendin që të fotografohen për letërnjoftim. Tha se dokumentet e identifikimit do të prodhohen brenda një afati të arsyeshëm për të mos iu mohuar e drejta e votës. Theksoi se nuk bëhet fjalë për një numër të madh personash, por rreth 500 persona dhe procedura mund të përfundojë brenda një dite.
“Përparësi do t’u jepet të rinjve tanë që nuk kanë dokumente të udhëtimit, ndërsa dëshirojnë të sigurojnë letërnjoftim. Sigurisht, këta të ri që kanë plotësuar 18 vjet, do të mund të realizojnë këtë të drejtë ditën e shtunë. Të drejtohen deri tek pikat e MPB-së në gjithë territorin, ndërsa në Shkup për këtë qëllim është pika e MPB-së në stacionin policor “Prolet”.”, – deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Lidhur me dinamikën e prodhimit të dokumenteve të udhëtimit, Toshkovski tha se aktualisht është duke punuar me kapacitet të plotë, por se nuk ekzistojnë mundësitë teknike që në periudhën e ardhshme të rritet kapaciteti i prodhimit. Njoftoi se për lëshimin e pasaportës me procedurë të shpejtë duhen pesë deri në shtatë ditë, ndërsa për procedurën e rregullt duhen minimum dy muaj.