Maqedoni

MPB gjobiti Kasamin dhe Ganiun

“Sot (15.08.2023) Ministria e Punëve të Brendshme, më saktësisht Departamenti i Policisë Kriminale, Sektori për Krime të Përgjithshme dhe Krim të Dhunshëm, në koordinim me Sektorët për Punë të Brendshme Shkup dhe Tetovë, kanë dorëzuar kërkesa në gjykatat themelore kompetente për inicimin e procedurës kundërvajtëse kundër personave juridik Komuna Çair dhe Komuna e Tetovës dhe personat përgjegjës në këto persona juridikë, kryetarët e këtyre komunave V.G. dhe B.K.

Përkatësisht, gjatë vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në vendin tonë, të udhëhequr nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar më 11.08.2023 në rrugën “Ferid Murati” në Shkup dhe në Sheshin Iliria në Tetovë, nuk është vepruar në përputhje me Ligjin për përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Domethënë, gjatë manifestimeve të organizuara me atë rast, nuk është kënduar himni kombëtar dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka është bërë shkelje nga neni 30 i të njëjtit ligj.

Ministria e Brendshme po vijon kërkimet për personin që valëvitte flamurin e Shqipërisë së Madhe në tubimin në Tetovë dhe pas gjetjes së tij do të ngrihet kallëzimi përkatës penal ndaj tij” – thuhet nga MPB.

Ganiu në polici, kallëzime për himnin dhe flamurin

Kreu i Komunës së Çairit, Visar Ganiu u thirr pas mesdite në stacionin policor të Bit Pazarit për të dhënë deklaratën e tij 5 ditë pas vizitës së kryeministri të Kosovës Albin Kurti. Pas daljes nga biseda në polici Ganiu tha ndaj tij janë ngritur dy kallëzime kundërvajtëse: Njëra për mos-intonimin e himnit shtetëror dhe mos vendosjen e flamurit të Maqedonisë. Ganiu tha se kallëzimet janë të ndikuara politikisht. “kanë vendosur që për momentin t’i kem dy dënime për kundërvajtje, kështu që arsyeja është vizita e kryeministrit Albin Kurti në Çair. Thirren në ligj për shkak se nuk është kënduar himni i Maqedonisë atë ditë aty, dhe që nuk ka pasur flamuj, do të thotë protokolli nuk e ka paraparë që të ketë flamuj, nuk ka pasur të Maqedonisë, por nuk ka pasur as të Kosovës”, tha Ganiu pasi doli nga stacioni policor.

Kasami: Komunizmi po mbahet gjallë nga Ahmeti e Taravari

Edhe kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami është thirrur në polici pas vizitës së kryeministrit Kurti. Ai në një reagim me shkrim thekson: “Komunizmi nuk ka vdekur, ai është gjallë dhe po e mbajnë gjallë qeveritarët tanë bashkë me Ali Ahmetin e Taravarin. Tentimet e këtilla për frikësim dhe heshtje si në kohën e komunizmit, nuk na trembin aspak, bile kokën lartë po vazhdojmë. Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta”, ka reaguar Kasami. Sipas tij koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur. “Ju vazhdoni të jeni vasalët e Beogradit, sepse atje do përfundoni të gjithë, ndërsa ne si opozitë i takojmë këtij populli dhe frikë kemi vetëm nga populli shqiptar” është shprehur Kasami.