Maqedoni

MPB formon shtab të posaçëm pas alarmeve për bomba, kërkohet ndihmë nga NATO

Pas alarmeve të vazhdueshme ditëve të fundit për bomba të vendosura në Shkup dhe qytete tjera, autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut deklaruan se i kanë njoftuar strukturat e NATO-s, ndërsa në MPB tashmë është krijuar seli e veçantë.

Dje ka pasur njoftime për bomba në dhjetë shkolla të Shkupit dhe pesë në Manastir, Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, sallën sportive “Boris Trajkovski”, stadiumin nacional “Toshe Proevski”, Federatën e Futbollit të Maqedonisë, East Gate Mall, si dhe disa hotele.

Konferenca vjetore e Odës Ekonomike të Maqedonisë, në të cilën do të fliste kryeministri Dimitar Kovaçevski, është anuluar pas raportimit për bombë në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup.

Më pas, MPB-ja njoftoi se të gjitha raportimet ishin të rreme.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dje tha se pret që të mblidhet Këshilli Koordinues për të diskutuar për sigurinë kombëtare.

“Duhet të përfshihet Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe institucionet e tjera që janë domethënëse në këtë pjesë. Sepse nëse raportet janë njoftim për terrorizëm, atëherë duhet të përfshihemi të gjithë në këtë për të stabilizuar situatën”, tha Spasovski dhe shtoi se përmbajtja e e-mail mesazheve për raportimet për bomba është e njëjtë me ato të marra nga vendet në rajon. Ministri i jashtëm, Bujar Osmani po ashtu shprehu shqetësime duke theksuar se për këto zhvillime është njoftuar NATO.