Mjeku zviceran i tha shqiptarit se i kanë mbetur edhe dy vite jetë, ai u kthye në vendlindje në Kaçanik dhe iu zgjat “ymri” tash e 9 vite
I papërshkrueshëm dhe grandioz është bagazhi atdhetar i çiftit bashkëshortor Remzi dhe Adifete Rekës, sa i përket çështjes kombëtare gjatë viteve të para- dhe pasluftës. Ata, në asnjë moment nuk ngurruan t`i dalin në ndihmë atdheut në lloj-lloj mënyra, duke lënë anësh në disa momente edhe interesin familjar.
Për të shkruar për ta nevojitet një roman i tërë, por më së miri këtë gjë e dokumentoi në një masë të caktuar shkrimtarja zvicerane Elisabeth Kaestli, me librin e saj „7 vëllezër e 7 motra – një familje kosovare nëpër botë“. Ky libër zgjoi ineteres të madh te lexuesi zviceran por edhe më gjerë.
Kësaj radhe do të veçojmë një fragment nga jeta e çiftit Reka, i cili tashmë nëntë vite është zhvendosur në Kosovën e lirë, atdheun të cilin e dashtën aq shumë dhe për të cilin dhanë maksimumin.
E takuam në shtëpinë e tyre në qytetin e Kaçanikut dhe si gjithmonë, mikpritja ishte e ngrohtë dhe bujare. Remziu edhe më tej një burrë vital rreth të shtatëdhjetave, ashtu si edhe Adifetja që pothuajse nuk kishte ndryshuar fare, pasi ishin përkujdesur për shëndetin e tyre, falë natyrës që e ka ka gryka e Kaçanikut, mu aty ku gërshetohen tri rryma të ndryshme atmosferike.
Pasi rrëfeu për aktivitetin e tij rreth angazhimit të tij në përmirësimin e infrastrukturës së Kaçanikut me rrethinë, Remziun e pyetëm se si ndodhi që të „migrojë“ nga Zvicra në Kosovë. Filloi të qeshet dhe me një zë të heshtur rrëfen: „Mjeku zviceran para nëntë viteve më tha se për shkak të duhanit më kanë ngelur edhe dy vite jetë“, dhe në atë moment ai e thith me ëndje tymin e cigares që po e konsumonte me shije.
„U brengosa dhe fillova të mendoj që të largohem nga Zvicra, megjithëse edhe e kishim ëndër që një pjesë të jetës ta kalojmë në vendlindjen tonë, aty për të cilën dhamë gjithçka që është e mundur. Fëmijët fillimisht menduan se po tallem. Por, isha këmbëngulës dhe me bindje të plotë fillova të përgatitem për një kthim sa më të shpejtë. Tani po qeshem me mjekun zviceran (ndjesë pastë pasi ka ndërruar jetë para dy vitesh) i cili ma kufizoi jetën vetëm për dy vite.
Kaluan nëntë vite, unë ende jam gjallë dhe shumë i fortë, ndoshta më i fortë se sa kur isha në Zvicër“, thotë Remziu për portalin Shtegu, me një disponim të hareshëm, për të vazhduar më tej bisedën lidhur me aktivitetet e tij.
Aktivitetin e gjerë të Remzi Rekës mund ta ndiqni në rrjetin e Facebookut, në profilin Organizata për mbrojtjen e mjedisit Gjethi. /shtegu