Maqedoni

Mjeku shqiptar në SHBA: Vaksinimi i çdo grupmoshe, i jep fund pandemisë

Mjeku shqiptar në SHBA, Skënder Murtezani tha për Euronews Albania se vaksinimi i fëmijëve deri në 15 vjeç është shumë i rëndësishëm, duke qenë se kjo grupmoshë është shumë aktive dhe faktor kryesor në shpërndarjen e virusit.

Teksa shpjegoi se në SHBA ka vijuar pa problem edhe vaksinimi i grave shtatzëna, pas një studimi që vërtetoi se vaksina nuk ka asnjë efekt anësor tek kjo kategori, ai u shpreh se nuk duhet të ketë skepticizëm sa i përket vaksinës, pasi është e vetmja mënyrë për të mposhtur virusin dhe për t’i dhënë fund pandemisë.

Z. Murtezani e vlerësoi si pozitiv procesin e vaksinimit në Shqipëri, duke qenë se vendi është treguar i hapur edhe për vaksinën ruse dhe kineze, pasi në këtë mënyrë ka mundësi të mbulojë pjesën më të madhe të popullatës.

“Mendoj se kanë bërë punë të mirë se janë hapur edhe për vaksina të tjera. Motoja e parë është të vaksinohemi sa më shumë dhe shpejt duke mos i lënë hapësirë virusit për variante të reja”, tha mjeku.