Maqedoni

Mjekët specializantë: Shteti po na detyron ta braktisim vendin

“Sigurisht që kjo protestë nuk është e nxitur, thjesht, nga dëshira për të përmirësuar statusin e tyre social. Kjo ka edhe prapavijë politike. Pse pikërisht tani iniciohen kërkesat e tyre? Kjo është indikative pasi duhet të kenë durim meqë pas zgjedhjeve do të angazhohem që të ketë rishikim të buxhetit që të mund të plotësohet kërkesa e tyre”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.

Por, mjekët protestues hedhin poshtë pretendimet e tilla duke sqaruar se shprehja e pakënaqësisë së tyre është e hershme dhe jo tani në fushatën elektorale.

“Unë personalisht nuk kam librezë partiake, e vetmja librezë që kam është ajo e dhurimit të gjakut, në të cilin shkruan se jam zero pozitiv”, thotë Kristina Iliovska, mjeke.

Protesta e mjekëve ka shkaktuar kaos në klinikat e Shkupit pasi qytetarët duhet të presin me orë të tëra për shërbimet mjekësore.

“Në klinika ka pacientë që presin në radhë. Në Onkologji është tmerr pasi ka njerëz që me orë të tëra presin për një shërbim kimioterapie. Thonë se nuk ka personel mjekësor ndërkohë që kemi mjekë që protestojnë pasi nuk pranohen në punë. Kjo është absurde. Si të rrinë këta mjekë në këtë shtet… andaj të gjithë po ikin nga ky vend”, thotë një qytetare nga Shkupi.

Pakënaqësi për gjendjen në shëndetësi ka pasur edhe në muajin shkurt kur Sindikata e pavarur e punëtorëve shëndetësorë u kërcënua me protesta nëse institucionet nuk e plotësojnë kërkesën për rritje pagash, por edhe për punësime të reja.

Në Maqedoninë e Veriut në sektorin e shëndetësisë janë të punësuar rreth 25.000 persona; mjekë, specialistë, infermierë, laborantë, shërbyes, shoferë, e personel tjetër.

Pagat e mjekëve sillet varësisht pozicionit dhe përgatitjes profesionale; 600 euro marrin mjekët fillestarë, ndërsa mjekët specialistë rreth 730 euro./REL