Mitsotakis: Qeveria e re e Maqedonisë duhet të respektojë Marrëveshjen e Prespës
Kryeministri i Greqisë Kyriankos Mitsotakis në një intervistë për televizionin grek “Alfa” ka theksuar se deklaratat në lidhje me emrin e shtetit nga VMRO-DPMNE e cila fitoi zgjedhjet e dyfishta në RMV po ndiqen me shqetësim të madh nga Greqia. Mitsotakis deklaroi se shpreson që udhëheqësia e re në Maqedoninë e Veriut t’i përmbahet dispozitave të Marrëveshjes Ndërkombëtare të Prespës me të cilën shteti ndryshoi emrin nga Maqedonia në Maqedonia e Veriut.
“Le të bëjmë durim. Unë dua të shpresoj që ato gjëra që u dëgjuan para zgjedhjeve nuk do të jenë qëndrim zyrtar i qeverisë së re pas zgjedhjeve, sepse nëse kjo ndodh do të kemi probleme“, ka thënë Mitsotakis. Ai po ashtu tha se deklaratat e zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së i ka përcjellë me shqetësim, dhe se po e pret se me çfarë emri do t’i drejtohet shtetit kryeministri i ri.