Misajlovski: Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për të mbështetur Ukrainën
Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Vlado Misajlovski sot në Ramstein të Gjermanisë mori pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, të cilin e udhëhoqi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ku për herët të parë mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Takimi i sotëm, ku morën pjesë ministrat e mbrojtjes dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere, i cili u mbajt në tre seanca, u hap nga Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin dhe Presidenti i Ukrainës, Zelensky.
Në takim u konfirmua se duhet të respektohen parimet e rendit juridik ndërkombëtar dhe pa mëdyshje u shpreh mbështetja për pavarësinë dhe mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrotjes.
Nga atje thonë se 57 vende nga të cilat të 32 anëtarët e Aleancës së NATO-s përbëjnë Grupin e Kontaktit për Ukrainën ku, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, koordinohen përpjekjet për të ndihmuar dhe mbështetur Ukrainën.
“Vendi ynë mbetet i përkushtuar për të mbështetur Ukrainën dhe qytetarët ukrainas”, thuhet në njoftim.