Maqedoni

Ministria e Drejtësisë ka pranuar propozimin e Lëvizjes Besa për barazi të shqipes me maqedonishten

Ministria e Drejtësisë njofton se ka marrë shkresën nga Partia Politike BESA, në të cilën kërkohet që gjatë përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese të merret parasysh ndryshimi i Amendamentit V të Kushtetutës.

Ministria e Drejtësisë njofton se të gjitha kërkesat lidhur me ndryshimet kushtetuese do të propozohen dhe shqyrtohen në grupin punues që do të formohet së shpejti, në të cilin anëtarë do të kenë edhe partitë politike, përfshirë edhe partinë BESA.

Paraprakisht Levizja Besa doli me propozim që gjuha shqipe të bëhet e barabartë me maqedonishten në tere vendin.

“Jemi në një moment historik dhe shumë të rëndësishëm për të ardhmen e shtetit, duke i respektuar dhe promovuar të gjitha vlerat e demokracisë së mirëfilltë, e vlersojmë si moment jashtzakonisht të volitshëm që përmes një kohezioni intra-etnik dhe ndër-etnik të korigjojmë gabimet historike që janë bërë përmes formulimeve jo adekuate në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për të ndërtuar një kushtetutë e cila do jetë burim kryesor i paqes, tolerancës dhe vlerave demokratike.

Andaj Lëvizja BESA në bazë të dispozitave të nenit 130 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes kësaj kërkese i sugjeron dhe kërkon nga propozuesi i autorizuar i ndryshimeve kushtetuese, pra Qeverisë së RMV-së, që gjatë përpilimit të draft-verzionit për ndryshimet kushtetuese që do t’i dërgohet për debat Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të inkorporojë përveç ndryshimit të preambulës së kushtetutës edhe ndryshime të Amendamentit të V të kushtetutës së RMV edhe atë:
1.Amandamenti V, pika 1, paragrafi 1 i Kushtetutës të formulohet në këtë formë:
Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj qirilik dhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj.

Paragrafet tjerë të Amendamentit V duhet të përshtaten konform paragrafit 1. Lëvizja BESA nuk ka kundërshti ndaj inkorporimit të komunitetit Bullgar në preambulën e kushtetutës së vendit por me këmbëngulje do të insistoj që Amendamenti V i kushtetutës të ndryshohet dhe gjuha shqipe të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Jemi të bindur se përmes korigjimit, saktësimit dhe ndërhyrjeve në nenet e propozuara më lart, ndjeshëm do të përmirsohet Kushtetuta e vendit e cila do garantojë stabilitet dhe paqe afatgjate si dhe do jetë reflekcion i realitetit shoqëror që ka
Maqedonia e Veriut. Pra, me këto ndërhyrje jo vetëm që do përforcohet karakteri multietnik dhe shoqëror i shtetit por njëkohësisht do mundësohet edhe funksionimi efikas i institucioneve shtetërore, gjë që është shumë e rëndësishme për një shtet anëtare e NATO-së dhe shtet i cili synon integrimin në BE”, deklaroi
Fatmir Sabriu nga Departamenti i drejtësisë në këtë parti.