Maqedoni

Ministria e Arsimit nuk përfill kërkesat e prindërve, paralajmërohen protesta

Ministria e Arsimit ka shpërfillur kërkesat e grupit të prindërve, kryesisht për tërheqjen e propozim ligjit të ri për tekstet shkollore që mes tjerash parashikon digjitalizimin e librave. Sipas prindërve, institucionet përkatëse mbetën të shurdhër dhe nuk shqyrtuan asnjë nga kërkesat e prindërve të cilat javën e kaluar iu dorëzuan dikasterit të Arsimit. Të revoltuar nga veprimet e ministrisë së Arsimit, grupi i prindërve ka paralajmëruar protesta për të shtunën, në të gjitha qytetet e vendit.

U përpoqëm të propozojmë zgjidhje dhe kompromis për ndryshimet ligjore me qëllimin e vetëm që të ketë reforma sipas nevojës së nxënësit. Sidoqoftë, përgjegjësit mbetën të shurdhër ndaj kërkesave dhe qëndrimeve tona, madje me manipulime dhe biseda të kota përgjegjësit dëshirojnë të na imponojnë reforma të cilat aspak nuk janë në interes të zhvillimit të drejte të fëmijëve tanë. Prandaj, të nderuar ju ftojmë që të gjithë së bashku të dalim në protestë të qetë në të gjitha qytetet e Maqedonisë dhe marsh të qetë në Shkup dhe të gjithë së bashku të tregojmë pakënaqësinë tonë ndaj sjelljes së ministres aktuale dhe institucioneve përkatëse”, tha Dragana Spasevska, grupi i prindërve.

Grupi i prindërve “Libra dhe mësim patjetër të ketë” kërkon që librat klasik patjetër të mbeten në përdorim, për të gjitha klasat e arsimit fillor dhe të mesëm. Të mos bashkohen dy ose më shumë lëndë në një. Të argumentohet shkurtimi i fondit të orëve në lëndë të caktuara. Të krijohen kushte të duhura për fëmijët handikap dhe me pengesa. Të krijohen protokolle për realizim të mësimit me prezencë fizike, si dhe të përfshihen përfaqësues të grupit dhe sektorit qytetar në grupin e punës për ndryshime në ligj. Nga Ministria e Arsimit mbeten në qëndrimin se ndryshimet në arsimin fillor do të ndodhin si rezultat i një analize gjithëpërfshirëse dhe kërkesë e mësuesve.