Ministri Perinski në Slloveni, Lubjana një shembull i mirë që duhet ta përcjellë edhe Shkupi
Çfarë përmban vizioni i qytetit për zhvillimin e qëndrueshëm 2007-2025, si arriti Lubjana të shpallet disa herë metropoli më i gjelbër evropian, cili ishte faktori kryesor për të marrë atë titull, si organizohet transporti publik dhe sistemi i mirëmbajtjes së higjienës publike, si trajtohen të gjitha këto fusha në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe si bëhet ndarja e kompetencave në mes të qytetit dhe komunave?
Këto ishin vetëm disa nga temat e takimit të sotëm mes ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski dhe kryetarit të Komunës së Lubjanës, Zoran Jankoviq, në kuadër të vizitës studimore treditore të ministrit në Slloveni, në kuadër të agjendës së tij për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave pozitive nga vendet e rajonit në drejtim të përgatitjes së ndryshimeve të planifikuara në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Perinski ka marrë informacione nga Jankoviç për menaxhimin padyshim të shkëlqyer të kryeqytetit të Sllovenisë, në krye të të cilit ai është gati 20 vjet, si dhe për mënyrën se si komunikon me qytetarët dhe pushtetin qendror.
Ata diskutuan gjithashtu se si i kapërcejnë mosmarrëveshjet, avantazhet dhe disavantazhet e një “qyteti të mbyllur”, si dhe mënyrën e financimit të projekteve dhe mbështetjen nga fondet e BE-së.
“Ishte nder të takoja kryetarin Jankoviç, mandati i pestë i të cilit është një tregues i mjaftueshëm i menaxhimit të suksesshëm të qytetit. Vizioni, përkushtimi, transparenca dhe puna ekipore e tij në sinergji me kuadrin ligjor bazuar në nevojat e qytetarëve garantojnë sukses, qytetarë të kënaqur dhe vetëqeverisje lokale funksionale. Besoj se Lubjana është një shembull i shkëlqyer i një qyteti nga rajoni, përvojat e të cilit duhet t’i marrim parasysh dhe t’i përdorim për qëllimet dhe planet tona për ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe në shërbim të qytetarëve dhe komunave tona”, tha ministri Perinski pas takimit, në të cilin u informua më në detaje për rregullimin ligjor në lidhje me mundësinë e tërheqjes së kryetarit, për uljen e suksesshme të ndotjes së ajrit pavarësisht pozicionit specifik të Lubjanës, si dhe për përfitimet dhe sistemin e funksionimit të policisë komunale.
Ministri Perinski zhvilloi një takim pune edhe me Kristof Mlakar, drejtor i Holdingut publik “Ljubljana”, në kuadër të të cilit funksionojnë disa ndërmarrje publike të ngarkuara me mirëmbajtjen e higjienës publike, rrjetin e ujësjellësit dhe transportin publik, prioritetet e të cilave gjatë realizimit të aktiviteteve ndjekin zhvillimin dhe udhëzimet mjedisore të përcaktuara në nivel kombëtar dhe lokal.
Në takim u konstatua se Holdingu është duke investuar në modernizimin e infrastrukturës dhe burimeve të tjera të nevojshme për ofrimin e shërbimeve cilësore, të përshtatura me nevojat e konsumatorëve dhe mundësive të ndërmarrjeve publike, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Ministri Perinski dje vizitoi Qendrën Rajonale për Menaxhimin e Mbetjeve “Ljubljana”, i cili është objekti më modern për rikuperimin e mbeturinave në Evropë dhe shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal në Slloveni, i cili bashkon 56 komuna me më shumë se 800 mijë banorë ku mbetjet trajtohen me teknologji inovative dhe të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, ministri vlerësoi se një qendër e tillë është e nevojshme për çdo qytet dhe është e nevojshme që përvojat sllovene të shfrytëzohen për qëllimet tona.