Ministri i diasporës Xhemal Çupi takohet me ish ministrin Edmond Ademi: Roli i diasporës është vendimtar!
Takimin e parë si Ministër pa resor – përgjegjës për Diasporës, ministri i ri i diasporës Xhemal Çupi e ka realizuar pikërisht me ish Ministrin e Diasporës, tashmë Këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Jashtme, Edmond Ademi.
“Takimi ishte i një rëndësie të madhe pasi Ademi njihet si ministër i parë – përgjegjës për Diasporë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por njëherit edhe iniciator për përpilimin e Strategjisë shtetërore për Diasporë. Në bisedë theksova se si Ministër në detyrë do bëj çka është e mundur në implementimin e planeve aksionare të strategjisë, shumë prej të cilave nuk u realizuan për shkak të pandemisë që kaploi botën”, deklaroi Çupi pas këtij takimi.
Bashkë me Ademin kanë konstatuar se diaspora ka një rol vendimtar për Republikën e Maqedonisë së Veriut në shumë aspekte. “Andaj pozita ime momentale si Ministër pa resor, por që mund të ketë bashkëpunime me të gjitha resorët dhe institucionet relevante, do mundësojë që lidhja me diasporën të fuqizohet në disa fusha: në promovimin e kulturës dhe identitetit tonë në vendet e huaja; në krijimin dhe ruajtjen e lidhjeve të afërta të diasporës me shtetit amë; me ndihmën financiare që do jep shteti jonë për aktivitetet e organizatave që veprojnë në diasporë, e shumë aktivitete të tjera.
Me këto detyra zyrtare, por edhe me shumë projekte të tjera që do ti shpalosi ditët në vijim, synoj të fuqizoj lobin e diasporës tonë por gjithashtu edhe promovimin e shtetit me qëllim inicimin e bashkëpunimeve ndërshtetërore”, theksoi Çupi.