Maqedoni

Ministri Hoxha: Pas plot 22 vitesh stagnim, sot rriten pagat e Policisë Pyjore për 30 %

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka bërë të ditur se për herë të parë pas 22 vitesh janë bërë pagesat me 30% më të larta për Policinë Pyjore.
“Kohë më parë, ne nënshkruam Marrëveshjen Kolektive, me të cilën rregullohet statusi, e drejta, detyrimet dhe përgjegjësitë në lidhje me punësimin e punonjësve në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave”.
Me Marrëveshjen e re Kolektive, për herë të parë, të drejtat dhe detyrimet për të ardhurat personale të nëpunësve të autorizuar në Policinë Pyjore janë të rregulluara në mënyrë sistematike. Gjithashtu për herë të parë është rregulluar edhe e drejta për të marrë një ndihmë në shumën prej 30% për komponentë, nivel për nëpunësit e autorizuar për shkak të llojit, natyrës dhe kompleksitetit të punës që kryejnë, si dhe për shkak të peshës dhe kushteve të veçanta nën të cilat kryhen punët.
“Sot, Sindikata e Pavarur e Policisë Pyjore falënderoi publikisht të gjithë ata që kishin durim dhe besuan në përpjekjet e përbashkëta për të arritur deri tek pagat më të larta dhe deri tek të drejtat më të avancuara për Policinë Pyjore. Ky është një sukses i ndërsjellë. Ndjehem i lumturuar. I përgëzoj të gjithë dhe u uroj shëndet të mirë për të shpenzuar paratë e fituara me ndershmëri. Shpresoj se së bashku do të kemi edhe shumë suksese të tjera profesionale. Le të jetë ky një motiv shtesë edhe për luftë më të fuqishme kundër krimit dhe korrupsionit, në mënyrë që të zhdukim prerjet ilegale dhe të paligjshme nëpër pyjet tona”, shkroi ministri Hoxha. (INA)