Ministri Admirim Haliti takime të frytshme në Izrael gjatë vizitës disa ditore (Foto)
“Bashkëpunim ndërkombëtar në hapësirën kibernetike” – ishte titulli i sesionit plenar në të cilin u drejtua ministri për shoqëri informatike, Admirim Haliti, me fjalim në suaza të eventit prestigjioz dhe konferencës “Cybertech Global Telaviv 2022” në Tel Aviv.
Ky event botëror, i bashkoi në një vend një numër të konsiderueshëm të ekspertëve të kibernetikës, delegacionet ndërkombëtare dhe kompanitë nga sfera e TIK-ut. Ata biseduan rreth mundësive të cilat i ofron industria kibernetike, qasjet inovative, si dhe sfidat dhe zgjidhjet e mundshme në kontekst të kërcënimeve në nivel global.
“Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e qartë sa sot se siguria kibernetike nuk është një çështje e ngatërruar teknike që u takon ekspertëve të teknologjisë, por një komponentë jetike e sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, tha mes tjerash në fjalimin e tij Aliti.
Në kuadër të vizitës në Izrael, delegacioni i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, së bashku me ambasadoren e Izraelit në Maqedoninë e Veriut, ata realizuan takime me përfaqësues të shtatë kompanive, veprimtaria kryesore e të cilave është siguria kibernetike, por edhe me homologun e tij izraelit.
“Kisha një takim të shkëlqyer me homologun izraelit Yoaz Hendel në kuadër të vizitës disaditore në Izrael të delegacionit të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
U pajtuam që të ngremë në një nivel krejt të ri bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave të mira në fushën e telekomunikacionit dhe digjitalizimit të shërbimeve publike ndërmjet Izraelit dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut” , ka deklaruar Haliti.
Gjatë kësaj vizite Aliti është takuar edhe me ministrin kosovar të puneve të brendshme, Xhelal Sveçla.