Microsoft: Hakerët rusë sulmuan qindra kompani dhe organizata
Një agjenci me bazë në Rusi përgjegjëse për sulmin masiv kibernetik të vitit të kaluar ndaj kompanisë teknologjike SolarWinds sulmoi qindra kompani dhe organizata të tjera gjatë valës së fundit të sulmeve ndaj sistemeve kompjuterike me bazë në SHBA, tha Microsoft.
Në një tekst të publikuar në blogun e tij më 24 tetor, Microsoft thekson se në valën e fundit të sulmeve, Nobelium synoi “shitësit dhe ofruesit” e shërbimeve cloud.
Sulmet u zhvilluan si pjesë e një fushate më të gjerë këtë verë, tha Microsoft, duke shtuar se ai informoi 609 përdorues midis 1 korrikut dhe 19 tetorit se ata ishin sulmuar.
Një përqindje e vogël e sulmeve janë të suksesshme
Vetëm një përqindje e vogël e sulmeve të fundit kanë qenë të suksesshme, tha Microsoft për New York Times, i cili ishte i pari që shkroi për sulmet.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan për New York Times se operacioni i hakerimit ishte në vazhdim, dhe një zyrtar i lartë i paidentifikuar i administratës e quajti atë “të pa sofistikuar dhe të pazakontë” dhe tha se mund të ishte parandaluar “nëse ofruesit e shërbimeve cloud do të kishin zbatuar praktikat bazë të sigurisë kibernetike”.
“Ky aktivitet i kohëve të fundit është një tjetër tregues se Rusia po përpiqet të fitojë një qasje sistematike afatgjatë në pika të ndryshme në zinxhirin e furnizimit të teknologjisë dhe të krijojë një mekanizëm për të monitoruar – tani ose në të ardhmen – gjëra të rëndësishme për qeverinë ruse,” shkroi Microsoft.