Mickovski: Sulmi ndaj BDI-së asnjëherë nuk është sulm ndaj shqiptarëve, por sulm ndaj krimit që ata përfaqësojnë
Sulmi ndaj partisë BDI asnjëherë nuk është sulm ndaj shqiptarëve, por sulm ndaj krimit që ata përfaqësojnë, tha lideri i VMRO-DPMNE-së në prezantimin e sotëm të kandidatëve për deputetë. Ai thotë se BDI është faktori politik që përveç që LSDM-në e nënshtroi dhe e ktheu atë parti dikur të madhe në një lodër të vogël në duart e tij, edhe krimin ia futi në çdo institucion dhe e bëri shtetin më të kriminalizuar dhe se deri më tani askush nga BDI-ja nuk është përgjigjur para ligjit.
Dhe sa herë që i tregon gjërat ashtu siç janë, vazhdoi Mickoski, ata do të fillojnë të flasin për çështje etnike dhe të akuzojnë dikë se ka diçka kundër shqiptarëve nëse sulmojnë këta kriminelë të BDI-së.
“Unë si person nuk kam asgjë kundër asnjë kombi, por jam kundër faktit që Maqedonia po vidhet dhe po shkatërrohet në mënyrë të pashpirt. Sepse edhe shqiptarët në Maqedoni janë peng të krimit të BDI-së dhe sepse edhe ata jetojnë rëndë ashtu si maqedonasit, serbët, turqit, romët, boshnjakët, vllehët dhe të gjithë qytetarët e tjerë në Maqedoni.
Fakti që BDI ishte parti e gjelbër dhe tani janë evropianë të mëdhenj, tregon se kanë dhjetëra fytyra, por një fytyrë nuk e ndryshojnë kurrë, ajo është fytyra që e mbajnë vazhdimisht me vete, ajo është fytyra e krimit. Dhe për atë krim ata duhet të mbajnë përgjegjësi dhe duhet të ketë drejtësi për të gjithë. Jam i vetëdijshëm se Ali Ahmeti dhe ata pak rreth tij e dinë saktësisht se çfarë kanë bërë për më shumë se 20 vjet. Jam i vetëdijshëm se atë që nuk mund ta bënin me pushkë, tani duan ta bëjnë nga brenda, nga institucionet. Qëllimi i tyre është një, dhe ai është grabitja, shkatërrimi, poshtërimi dhe turpërimi i Maqedonisë. Të poshtërohen ata që e mbrojtën Maqedoninë”, përfundoi Mickoski.