October 10, 2024
Opinion

Mickovski kërkon mirëkuptim nga BE-ja, mendon që RMV ka bërë mjaft!

Maqedonia e Veriut vazhdon ta ketë sfidë të pashmangshme vazhdimin e rrugëtimit drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane. Kryeministri i ri i vendit, Hristijan Mickovski theksoi se Maqedonia i kishte bërë shumë lëshime Bullgarisë vite më radhë, duke potencuar se ata nuk duhet të jenë më naivë, respektivisht, siç tha ai, ne nuk ofrojmë asgjë që është përtej arsye së shëndoshë, por ofrojmë kompromis konstruktiv për të cilin ai është i gatshëm të diskutojë. Nëse analizohet thellësisht i bie që vërtetë Maqedonia e Veriut është lënë anash në këtë proces, e kjo vonesë pastaj ndikon negativisht në rritjen e euroskepticizmit, shkruan Zhurnal.

Mickoski: Kemi bërë shumë lëshime ndaj Bullgarisë, çfarë lidhje ka ndryshimi i emrit, flamurit, kushtetutës me kriteret e Kopenhagës –

“Është absolutisht më mirë të bisedojmë, nuk kam dilemë. Por, është më mirë të bisedojmë, e asgjë që kemi bërë më parë si si koncesion identitar të mos e kishim bërë. Gjëja më e mirë është se edhe atëherë do të kishte qenë gjithçka normale edhe për nëse do të varej vetëm nga kriteret e Kopenhagës dhe përmbushja e kushteve të përfshira në klasterët. Më së miri do të ishte kështu”, shprehet kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski në intervistën e djeshme në Studio të Hapur “100 ditët e Qeverisë” të RTM-së.

“Ne kemi problem që bullgarët të hyjnë në Kushtetutë tani, por nuk kemi problem që ata të hyjnë kur ne do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. E tani kemi problem”, ishte decid Mickoski.

Nga ana tjetër kryeministri Mickovski ka bërë të ditur se edhe qeveria në krye me të është e përkushtuar maksimalisht drejt vazhdimit të këtij rrugëtimi drejt anëtarësimit të plotë.

“Nëse duam, do ta përfundojmë edhe me këtë që kemi tani në dispozicion. Bisedimet nuk do të thotë anëtarësim, por nënkupton një proces në të cilin do të rrisim kapacitetin e institucioneve dhe do të fitojmë shkathtësi të ndryshme në kuadër të administratës. Varet nga ne nëse duam të bëjmë detyrën e shtëpisë. Ne si Qeveri, duam dhe jemi të përqëndruar në këtë”, tha Mickoski.

Ai theksoi se gjithçka që ka ndodhur në dekadat e fundit ka krijuar një lloj zhgënjimi në mesin e qytetarëve dhe se zhgënjimi sot është i madh, sepse kjo kornizë e bisedimeve nuk ka një qëllim dhe dritë të qartë në fund të tunelit.

“Të gjithë e kanë nisur dhe e kanë përfunduar procesin, nuk kemi një tregues dhe parametër të tillë të qartë. Po të kishte, do ta kapnin edhe atë. Qëndrimi ynë për veprimin e vonuar nuk është asgjë më shumë se një formulë që funksionoi siç është Marrëveshja e Prespës, e cila tha se ndryshimet do të hyjnë në fuqi kur Parlamenti grek të ratifikojë protokollin e pranimit për shtetin në NATO. Ata shprehen se Marrëveshja e Prespës ishte një kryevepër e diplomacisë, kështu që le ta përsërisim atë, në mënyrë që ndryshimet kushtetuese të zbatohen kur Parlamenti bullgar të ratifikojë marrëveshjen e aderimit në BE. Nëse kjo është mirë, le ta kopjojmë dhe ta aplikojmë”, theksoi Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se pas gjithë asaj që kemi bërë, që nuk e ka bërë askush, asnjë komb i vetëm, asnjë shtet i vetëm që është anëtar, meritojmë ta marrim këtë çështje në lidhje me veprimin e prolonguar.

Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së ka zanafillë të hershme –

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, është pozicionuar në drejtim të anëtarësimit në BE si veprim strategjik i domosdoshëm për zhvillim të shtetit. Pra, rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian ka filluar menjëherë pas pavarësimit, ndërsa zyrtarisht më 17 dhjetor të vitit 2005 Këshilli Evropës vendosi që Republikës së Maqedonisë, atëherë, ndërsa sot RMV-së, statusit shtet kandidat për anëtarësim në BE. Më 17 dhjetor të po këtij viti, 2023, RMV mbush plot 18 vite po me të njëjtin status vetëm shtet kandidat, pa marrë datën për fillim të negociatave.

Por, a është i nevojshëm ose i mjaftueshëm vetëm aplikimi e interesi i një shteti për t’u anëtarësuar në BE?, sigurisht që jo. Bëhet fjalë për disa kushte që duhet plotësuar secili shtet i interesuar për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Mirëpo, për çfarë kushtesh bëhet fjalë, flitet për kushte që janë vështirë për t’u plotësuar apo mungesë e seriozitet të shteteve kandidate në përgjithësi, e në veçanti të shtetit tonë?, janë çështje të diskutueshme

Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar, që në mënyrë të drejtpërdrejt pengohet edhe Shqipëria. Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE. Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.

Ndryshe, zgjidhja e vetme është bazuar në planin franko-gjerman përmes të cilit Maqedonia e Veriut është e obliguar të bëjë ndryshime kushtetuese dhe të fusë bullgarët si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit. Por, për këto ndryshime nevojiten 80 vota të deputetëve që shumica aktuale parlamentare e ka të vështirë t’i sigurojë, pasi opozita maqedonase kundërshton ashpër e opozita shqiptare ka vendosur dy kushte. Përmes këtij plani arrihet marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por esenciale janë ndryshimet kushtetuese që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. /Zhurnal.mk