Maqedoni

Mickoski propozon zgjedhje parlamentare dhe presidenciale mes dy festave më të mëdha fetare pranverën e ardhshme

Duhet të dakordohet datë për zgjedhje të rregullta. Ja një propozim për Kovaçevskin. Le të marrë një fletë të bardhë dhe të shkruajë cilën datë dëshiron mes dy festave më të mëdha fetare pranverën e ardhshme dhe të mbajmë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në një kosto, tha sot kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai në fjalimin e tij në manifestimin me rastin e 23 Tetorit, Ditës së luftës revolucionare maqedonase dhe përvjetorit, porositi se “ripërtëritja po vjen, ndërsa ndryshimet do të jenë aq të fuqishme sa do të jetë e fuqishme edhe mbështetja”.

Siç vlerësoi Mickoski, “kjo Qeveri, duke shmangur marrëveshjen për datën e zgjedhjeve, shkon drejt shkaktimit të vetëdijshëm të krizës kushtetuese dhe politike”.

“Është turp që përmes mediave po dakordohemi dhe liferojmë datë për zgjedhjet e rregullta. E kuptoj kur thonë se Kovaçevskin askush nuk e dëgjon në Qeveri, sepse as ministrat, zëvendëskryeministrat dhe te partia e tij nuk kanë respekt. Kjo është arsyeja pse ai është i përkushtuar për të shëtitur nëpër botë dhe kompani. Por duhet rënë dakord për datë për zgjedhje të rregullta. Do të përjetojnë disfatë të madhe dhe debakël të rëndë nga populli. Populli duhet masivisht, në numër të madh t’ua dërgoj mesazhin në këto zgjedhje – nuk ka lojë me popullin. Populli është më i fuqishëm se çdo klikë dhe elitë e ngushtë që luan me fatin dhe rrëmben të ardhmen. Ndryshimet po vijnë. Premtimet e Organizatës dhe qëllimet tjera duhet t’i realizojmë që Maqedoninë ta vendosim në këmbë të shëndosha”, theksoi Mickoski.

Ai poashtu tha se nuk dëshiron të jetë objekt i shantazheve gjatë krijimit të qeverisë së ardhshme.

“Prandaj kërkoj nga çdo qytetar që të dalë masivisht në zgjedhjet e ardhshme. Është e rëndësishme që vota e çdo personi të ketë rëndësi. Politikanët e këqij janë në pushtet, sepse përfitojnë nga pavendosmëria e atyre që nuk votojnë. Njëherësh, populli duhet të jetë i vetëdijshëm për lojërat e atyre në opozitë të stimuluar nga pushteti për të aktruar patriotë dhe për të shtypur rezistencën kundër këtij pushteti. Ata do t’i njihni për ndonjë kritikë ndaj pushtetit, sa për të menduar se janë opozitarë, por për gjithçka tjetër, me profesion dhe normë janë kritikë të opozitës. Me orë të tëra shajnë, pështyjnë, analizojnë njerëz nga opozita. Në mënyrë jo të natyrshme merren me VMRO-DPMNE-në kur kemi qeverinë më të paaftë. Ata duan në popull të fusin dyshimin për opozitën dhe çdo lëvizje që t’ju largojnë nga votimi. Mesazhi im është mos u besoni, kini kujdes. Përgjigja për këtë duhet të jetë që të mos bie vota e juaj për ata opozitarë dhe opozitën e opozitës, por të përkrahet masivisht forca e vetme e aftë dhe e gatshme për ndryshime VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin që do ta udhëheq VMRO-DPMNE”, tha Mickoski.