Maqedoni

Mickoski: “Pro” shpërbërjes së këshillave

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se duhen reforma rrënjësore në Gjyqësor, pasi sipas të gjitha matjeve besimi i qytetarëve është në nivel shumë të ulët. Pas takimit me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor, që sipas tij është bërë me kërkesë të tyre tha se nuk heq dorë nga ideja e shpërbërjes së Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve, por se hapat për reforma do të merren pas grumbullimi të ideve dhe propozimeve. Mickoski tha se mungesa e sundimit të së drejtës përbën problem të sigurisë.

“Nëse nuk kemi sundim të së drejtës, nëse nuk keni shtet të së drejtës, nëse keni nivel të lartë të kriminalitetit dhe korrupsionit, përbën problem të sigurisë. Në si Qeveri në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit kemi detyrë bazë ta mbrojmë shtetin dhe qytetarët nëse paraqitet problem në aspektin e sigurisë. Për ne mungesa e sundimit të së drejtës, kriminaliteti, perceptimi për korrupsion, elitat janë problem i sigurisë për shtetin tone. Ne si qeveri duhet të reagojmë. Kjo do të jetë periudhë për grumbullimin e propozimeve, ideve dhe më pas do të dalim para opinionit me qëndrim final për atë se si i shohim reformat dhe normalisht ne mbetemi në qëndrimin për shpërbërjen e këtyre institucioneve për të cilat flasim. Nuk presim rezultate të shpejta por presim përparim”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ndërkohë kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva tha se në takim ka dhënë propozime konstruktive për kthimin e besimit në gjyqësor, por pa saktësuar se cilat ishin ato.

“Pushteti gjyqësor dhe ai ekzekutiv konsideroj se nuk duhet të shihen si rivalë, por përkundrazi të shihen si bashkëpunëtorë sepse ky bashkëpunim institucional është shumë i rëndësishëm për hapat e mëtutjeshëm për rezultatet e mëtutjeshëm me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve”, tha Vesna Dameva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Ndër vite besimi në Gjyqësor është në nivel tejet të ulët. Në vazhdimësi ndërkombëtarët kanë drejtuar kritika, duke kërkuar zbatimin e reformave.