Maqedoni

Mickoski: Maqedonia vendi me rritje më të shpejtë ekonomike në rajon, 2025-ta do jetë vit më i mirë

Kryeministri Hristijan Mickoski pret që viti 2025 të jetë më i suksesshëm se viti 2024, me rritje të BPV-së ndërmjet 3.5 dhe 4 për qind, investime mbi një miliardë euro dhe deficit buxhetor nën 4 për qind.

– Pres që parametrat në ekonomi në vitin 2025 të jenë më të mira se ato të vitit 2024. Rritja e BPV-së duhet të arrijë afër 4 për qind, ndërmjet 3,5 dhe 4 për qind, edhe pse ajo e parashikuar është 3,7 për qind – tha sot kryeministri Mickoski, transmeton portali Lideri.mk.

Sipas tij, viti 2024 në planin ekonomik u mbyll me rezultate më të mira se sa pritej.

– Presim të kemi parametra pozitivë për rritjen e BPV-së për tremujorin e katërt, që në përgjithësi, rritja për vitin 2024 të jetë 2.6 për qind, 2.7 për qind dhe pse jo 3 për qind. Tremujori i parë ishte i dobët, por i treti dhe i katërti janë vërtet të suksesshëm, do të thosha më i miri në rajon – tha Mickoski.

Siç transmeton Lideri.mk, ritheksoi se pret që niveli i investimeve të huaja në vitin 2024 të kalojë një miliard euro dhe të arrijë një shumë edhe më të madhe në vitin 2025.

Deficiti buxhetor për vitin 2024, siç informoi dje ministri i Financave, ka parametra më të mirë se sa ishte parashikuar dhe nuk do të jetë 4.9 për qind, por 4.4 për qind.

– Për vitin 2025 presim të jetë nën 4 për qind. Vërtet do të kemi parametra të mirë financiarë, do të jemi në mesin e pesë-gjashtë ekonomive të para me rritje më të shpejtë dhe do të kthehemi në vendet ku ishim 10 vjet më parë, sa i përket ekonomisë – tha Mickoski./Lideri