Mickoski kërkon takim me Kovaçevskin
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski kërkoi takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për të shpjeguar konceptin e partisë për tejkalimin e krizës energjetike, shkruan Alsat.
Mickoski thotë se tani duhet sjellje e përgjegjshme, sepse kriza energjetike po shndërrohet në financiare. Ai në konferencën për media tha se ka kontakte me kompani nga Gjermania, Zvicra dhe Çekia të cilat janë të gatshme të negociojnë me autoritetet maqedonase për shitjen e gazit. Ky gaz është blerë më parë nga GAZPROM-i rus dhe Mickoski thotë se nuk do të ketë implikime financiare në rubla. Ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm.
“Kam prezantuar planin se si të sigurohen sasi shtesë të energjisë elektrike dhe ngrohjes për qytetarët dhe industrinë dhe në këtë mënyrë të sigurohet funksionimi konkurrues i industrisë pa mbylljen e ndërmarrjeve, pa pushimin nga puna të punëtorëve. Por ajo që ka ndodhur në periudhën e kaluar është qëndrim krejtësisht injorant i qeverisë ndaj ekonomisë, por edhe qëndrim arrogant i qeverisë ndaj propozimeve të opozitës, në vend që të jetë konstruktiv, duke pranuar ofertën, të ulen për të diskutuar dhe të negociojnë, atë mbrëmje organizoi konferencë shtypi për të mos thënë asgjë”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski një ditë më parë prezantoi planin e qeverisë për të zbutur krizën energjetike. Ai paralajmëroi subvencionim të faturave të energjisë elektrike për 650 mijë qytetarë për 80 përqind. Ai tha se do t’u jepen subvencione të gjitha shkollave dhe shtëpive të shëndetit për gjysmën e çmimit për energjinë elektrike. Mes tjerash nënvizoi se do të ketë edhe ngrohje qendrore për qytetarët.
“7:40 Janë siguruar mjete financiare për burimet e energjisë të nevojshme për energji termike. 80 për qind e subvencionojmë faturën për energji elektrike për 650 mijë amvisëri…8:17 Në mënyrë shtesë morëm vendim që në tregun e rregulluar të jenë edhe shkollat fillore dhe të mesme në territorin e të gjithë shtetit…”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Përskaj vendimeve për ballafaqim me krizën energjetike, Kovaçevski bëri thirrje që qytetarët të vazhdojnë me masat për kursim./Alsat.mk